Për 94 vjeçarin që ka qenë 7 herë kryeministër i Italisë do të ketë vetëm homazhe private, në një kishë të vogël
U nda nga jeta në moshën 94 vjeçare Xhulio Andreoti. U shua dje në orën 12:25 pas mesnate në banesën e tij në Romë. Lajmi u bë i ditur nga të afërmit e familjes. Më 14 janar të këtij viti kishte mbushur 94 vjeç.
Ish-senatori i përjetshëm u shtrua në spital më 3 maj të vitit të kaluar me dyspnea. Që atëherë, megjithëse gjendja e tij shëndetësore u përmirësua, nuk e mori dot më veten plotësisht.
Patrizia Chilelli, sekretarja historike e Andreotit, e cila punoi krah tij që prej vitit 1989, ka deklaruar se “nuk do të ketë as ceremoni varrimi shteterore dhe as dhomë mortore. Trupit të pajetë do t’i bëhen homazhe në kishën e tij me njerëzit e rrethit më të ngushtë familjar”.
Lindur në Romë, më 14 janar 1919, Andreoti ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të Demokracisë Kristiane, partisë kryesore të qendrës së djathtë italiane për gjysëmshekulli pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
I zgjedhur shtatë herë kryeministër i vendit si dhe senator i përjetshëm, Andreoti ka mbajtur poste të shumta qeveritare: ndër të cilat 8 herë ministër i mbrojtjes, 5 herë ministër i jashtëm, 3 herë ministër i pjesëmarrjeve shtetërore, 2 herë ministër i financave, ministër i bilancit dhe i industrisë, një herë ministër i thesarit, ministër i brendshëm (më i riu në moshë në këtë post, në të gjithë historinë e republikës), ministër i pasurive kulturore si dhe ministër i politikave komunitare.
Figura e tij politike u vu në diskutim nga hapja e një numri procesesh gjyqësore që e akuzonin për marrëdhënie shumë të afërta me mafian, të paktën deri në vitin 1980. Ndonëse nuk ka humbur asnjë nga këto gjyqe, ylli I tij në politikë u venit në fund të jetës atëhere kur shumëkush mendonte se do të bëhej president I vendit, të vetmin post të rëndësishëm që nuk mundi të mbante.
Vdekja e tij pati një jehonë të madhe në median botërore, megjithë moshën e shkuar.
(Përgatiti: Viktoria Paloka)