NJu Jork, 12 janar 2024 – Në zgjedhjet e fundit në nivel lokal në Shtetet e Bashkuara, disa shqiptarë u zgjodhën në pozita publike. Njëri nga ta është Vedat Gashi, shqiptaro-amerikan nga Kosova, që u bë anëtari i parë i këshillit bashkiak në Uestçester të Nju Jorkut me origjinë shqiptare. Në ceremoninë e betimit, që u mbajt të enjten mbrëma nën drejtiminn e ish Presidentit amerikan Bill Clinton dhe me pjesëmarrje të ish Sekretares amerikane të Shtetit Hilary Clinton, zoti Gashi ndau momente nga hapat e parë si refugjat 4 vjeçar në Amerikë deri te momenti i betimit për t’i shërbyer votuesve të tij në bashki. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Gashi thotë se rrugëtimi i tij nga një refugjat nga Kosova në një pozitë vendimmarrëse në Shtetet e Bashkuara, është dëshmi e fuqisë së demokracisë amerikane.
Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, mbrëmë u betuat edhe për një mandat si anëtar i asamblesë bashkiake në Uestçester. Në fjalimin tuaj treguat se si keni ardhur në Amerikë si një katër vjeçar dhe për rrugëtimin dhe vështirësitë e familjes tuaj. A mund të na tregoni për rëndësinë e këtij momenti për juve?
Vedat Gashi: Është një moment jashtëzakonisht i fuqishëm, të kalosh nga një gjendja e një refugjati, në një pozitë me pushtet. Mendoj se kjo është forca e Amerikës, fuqia e demokracisë tonë, faktit që përmes shkollimit, përmes punës së pandalur, mund të shndërrohesh nga një individ i pafuqishëm në një udhëheqës të fuqizuar. Rizgjedhja si anëtar i bashkisë dhe pastaj zgjedhja në pozitën e kryesuesit të bordit të anëtarëve të bashkisë është një nder i jashtëzakonshëm.
Mendoj se shumë njerëz nuk e dinë se si funksionon një bashki e tillë dhe unë shpesh e krahasoj me Kosovën. Bashkia e Uestçester-it ka rreth 1 milion banorë dhe një buxhet prej 2.8 miliardë dollarësh. Ka 17 anëtarë bashkie dhe unë do të jem drejtuesi i degës legjislative të kësaj qeverie. Bashkia e Uestçester-it është njëra prej legjislaturave më të vjetra në tërë shtetin e Nju Yorkut; këtu ka ekzistuar qeveria përfaqësuese prej mbi 300 vjetësh dhe konsiderohet si shembull brenda shtetit për politikën. Është nder i veçantë të zgjidhem këtu. Pastaj në radhët e votuesve, kemi disa votues të jashtëzakonshëm, siç janë çiftin Clinton. Është nder i veçantë ta kem këtë pozitë.
Zëri i Amerikës: Ceremonia e betimit u drejtua nga ish Presidenti amerikan Bill Clinton dhe në prani të ish Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton, të cilët ju i falenderuat për rolin që kanë luajtur në Kosovë. Ju vet jeni kthyer në Kosovë dhe keni punuar atje për disa vite. Si ndikon kjo përvojë në punën tuaj si anëtar bashkie?
Vedat Gashi: Presidentin Clintoni është hero për mua, pjesërisht për shkak të rolit që Shtetet e Bashkuara luajtën për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës. Përvoja e rritjes si një refugjat, pastaj kthimi në Kosovë për të punuar pas luftës, pjesërisht janë tregues se sa e ndjeshme është puna e qeverisë, se sa e rëndësishme është që njerëzit të angazhohen dhe të marrin përgjegjësitë. Për mua ishte një edukim i mrekullueshëm si dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të punuar dhe për t’u rilidhur me të kaluarën time. Unë linda atje dhe mundësia që të kontribuojë në rindërtimin e Kosovës në një formë të vogël për mua ishte me rëndësi të veçantë.
Zëri i Amerikës: Vitet e fundit kemi parë një numër në rritje të shqiptaro-amerikanësh që po kandidojnë për pozita publike dhe që po zgjidhen në këto pozita. Si e shihni këtë zhvillim?
Vedat Gashi: I jashtëzakonshëm. Dhe po, ka më shumë, por jo aq sa do të duhej. Kur unë u zgjodha anëtar bashkie isha shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur ndonjëherë në bordin e anëtarëve të bashkisë së Uestçesterit. Por dje, në ceremoninë e betimit ishte edhe një shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Uestçester. E pranishme në ceremoni ishte edhe gjykatësja e parë (shqiptaro-amerikane) e zgjedhur ndonjëherë në shtetin e Nju Jorkut, Edit Shkreli. Është zhvillim i jashtëzakonshëm. Kemi një mori shembujsh, por mendoj se ka edhe shembuj tjerë. Sfida ime kryesore është se njerëzit nuk regjistrohen për të votuar, nuk angazhohen. Është shumë e rëndësishme të përfshihen pavarësisht se për cilën parti do të votojnë. Ka shumë të talentuar, njerëz me karakter të fortë dhe të mençur që duan të angazhohen. Mendoj se disa nga vlerat që i kemi si shqiptarë, vlerat familjare, mbështetjes te njeri-tjetri, puna e zellshme, përkthehen dhe ka kuptim që njerëzit që korrin sukses në këtë aspekt vijnë nga komuniteti shqiptar.
Zëri i Amerikës: T’i kthehemi distriktit tuaj. Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballen votuesit tuaj dhe cilat janë përparësitë tuaja për këtë mandat?
Vedat Gashi: Në distriktin tim ka një numër të konsiderueshëm shqiptaro-amerikanësh. Sfida ime sa i përket këtij komuniteti gjithmonë është që t’i angazhoj, t’i përfshij dhe të sigurohem se janë pjesë e procesit vendimmarrës. Kam dëshirë të shoh se bëhen pjesë e tij. Ndërkaq sa u përket përparësive, shoh shumë familje që ende po vuajnë nga pasojat financiare dhe fizike të pandemisë së COVID-it dhe ri-integrimit ekonomik. Shumë njerëz po kalojnë nëpër kohëra të vështira. Çështjet e ambientit janë shqetësim i madh këtu, pastaj siguria e mirëqenia e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe të parrezikuar dhe pa sfidat që po ua vështirësojnë jetën familjeve të tyre. Ky është qëllimi im, këtu jam përqëndruar.
(Garentina Kraja, Zëri e Amerikës)