Bruksel, 5 shkurt 2025 – Drejtues të lartë të politikës europiane dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte u takuan në Bruksel, ku biseduan për prioritetet e përbashkëta të mbrojtjes dhe u dakordësuan për nevojën e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen, raporton Detsche Welle.
Shumë prej liderëve europianë kanë ripërsëritur nevojën për të shtuar shpenzimet për mbrojtjen, megjithatë BE shpreson që kjo rritje të mos jetë aq e lartë sa pretendon presidenti i SHBA-së Donald Trump: 5% të prodhimit të brendshëm bruto në nivel kombëtar.
Në takim u tha se një sistem i përbashkët armatimi i vendeve të BE-së do të ulte ndjeshëm kostot.
“Na duhet të forcojmë industrinë vetjake të mbrojtjes dhe të krijojmë sisteme të përbashkëta armatimi. Atëherë industria jonë e mbrojtjes do të përdorë sisteme të njëjta ushtarake dhe ushtritë e vendeve anëtare do të ndërvepronin”, ka thënë shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të hënën.
Shumë vende anëtare të BE-së e trajtojnë çështjen nga këndvështrimi kombëtar dhe shpenzojnë paratë e takspaguesve të tyre në krijimin e sistemeve vetjake të armatimit.
Por, sipas ekspertëve në kontekstin e rrezikut të përbashkët rus ky këndvështrim është i kushtueshëm dhe nuk ka rezultat.
“Një nga mangësitë tona është që në BE përdorim sisteme të ndryshme tankesh dhe për këtë arsye kostoja për njësi të çdo blerjeje është më e lartë sesa do të ishte me një numër më të ulët sistemesh”, thot٥ Rafael loss nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).
Ekspertët thonë, se shtetet duhet të bashkëpunojnë dhe të mbështeten tek aftësitë e njëri-tjetrit. Dhe këtu hyn në lojë mbrojtja e Mbretërisë së Bashkuar. Britania e Madhe nuk është më shtet anëtar i Bashkimit Europian, por është një ndër dy shtetet me armatim bërthamor në Europën Perëndimore. Ky vend ka stërvitur dhjetëra mijëra ukrainas për fushë-betejë dhe e ka furnizuar vendin e tyre me raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat kanë qenë thelbësore në luftën kundër Rusisë. Britania e Madhe udhëheq gjithashtu Ekspeditën e Përbashkët Ushtarake që përbëhet nga dhjetë shtete dhe është zhvendosur në detin Balltik për të parandaluar sulmet hibride ruse. Ekspertët thonë, se një pakt me Mbretërinë e Bashkuar do të ishte i dobishëm.
Londra së fundi ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen me Berlinin dhe Parisin dhe tashmë e ka kthyer vështrimin nga pakti i mbrojtjes me BE-në.
Por, ky pakt aktualisht mbetet i bllokuar nga Franca për shkak të mosmarrëveshjeve me Britaninë e Madhe lidhur me të drejtat e peshkimit. Ekspertët britanikë thonë, se Mbretëria e Bashkuar nuk mund të ndihmojë shumë pa pasur qasje tek financat e BE-së.
“Me Mbretërinë e Bashkuar që është jashtë BE -së për momentin, do të thotë se kur BE -ja financon shpenzimet e rritura të mbrojtjes ose rritjen e nismave të mbrojtjes, Mbretëria e Bashkuar lihet jashtë. Dhe kjo nuk është e mirë për askënd, sepse nëse Mbretëria e Bashkuar nuk ka qasje në paratë e BE -së, Brukseli nuk do të ketë qasje në industrinë britanike të mbrojtjes”, thotë Anand Sundar, Këshilltar i Drejtorit të ECFR.
Zyrtarët e BE-së thonë se koordinimi mes industrive europiane të mbrojtjes do të ishte frytdhënës për të gjithë dhe do të krijonte mundësi punësimi për të gjitha palët. Sfida më e madhe për partnerët europianë do të ishte konsensusi në shkallë të gjerë.
(r.m.)