Bruksel,18 maj 2021 – Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të mërkurën për të lehtësuar kufizimet e udhëtimit për shkak të COVID-19 për vizitorët jashtë vendeve të BE-së përpara sezonit turistik veror, një veprim që mund të hapë dyert e bllokut për të gjithë amerikanët dhe britanikët e vaksinuar.
Ambasadorët nga 27 vendet e BE-së miratuan një propozim të Komisionit Evropian të 3 majit për të lehtësuar kriteret për të përcaktuar vendet si “të sigurta” dhe për të lejuar të vijnë turistë të vaksinuar plotësisht nga vendet jashtë BE-së.
Zyrtarët pritet të përpilojnë një listë të re këtë javë ose në fillim të javës tjetër. Bazuar në të dhënat nga Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Britania dhe një numër vendesh të tjera do të plotësonin kriteret e reja.
Shtetet e Bashkuara nuk do të përmbushnin kriteret, megjithëse amerikanët që kanë prova të vaksinimit do të ishin të mirëpritur.
Një diplomat i BE-së tha se do të duhet të merren parasysh rastet e variantit indian në Britani, megjithëse vendet individuale të BE-së tashmë po përcaktojnë politikat e tyre. Portugalia hoqi një ndalim katër-mujor të udhëtimit për turistët britanikë të hënën.
Sipas kufizimeve aktuale, njerëzit nga vetëm shtatë vende, përfshirë Australinë, Izraelin dhe Singaporin, mund të hyjnë në BE për pushime, pavarësisht nëse janë vaksinuar apo jo.
Vendet individuale do të jenë në gjendje të zgjedhin të kërkojnë një test negativ për COVID-19 ose një periudhë karantine për vizitorët.
Kriteri kryesor aktualisht është që të mos ketë më shumë se 25 raste të reja me COVID-19 për 100,000 banorë gjatë 14 ditëve të fundit. Kjo prirje duhet të jetë e qëndrueshme ose në rënie dhe duhet të ketë një numër të mjaftueshëm testesh, të cilat duhet të tregojnë një përqindje minimale me rezultat negativ. Variantet shqetësuese mund të merren në konsideratë.
Komisioni propozoi ngritjen e shkallës së rasteve në 100 për 100 mijë banorë. Ambasadorët e BE-së vendosën që shkalla e infektimeve me COVID të mos i kalojë 75 raste. Që njerëzit e vaksinuar të lejohen të hyjnë në BE, ata do të duhet të kenë marrë një vaksinë të miratuar nga EMA, ndërsa ata që kanë marrë vaksina që janë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mund të merren në konsideratë. Këta njerëz duhet të kenë marrë dozat e fundit të paktën 14 ditë para udhëtimit.
Sipas planit, vendet e BE-së që heqin dorë nga kërkesat për teste ose karantinë për turistët e vaksinuar të BE-së, inkurajohen të bëjnë të njëjtën gjë për pushuesit e vaksinuar jashtë BE-së.
Fëmijët gjithashtu duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë me prindër të vaksinuar.
Një frenim emergjent mund të përdoret përkohësisht për të ndaluar të gjitha udhëtimet, përveç atyre thelbësore nga një vend i caktuar për të kufizuar rrezikun e hyrjes në BE të varianteve shqetësuese të koronavirusit. Një frenim i tillë është propozuar për Indinë.
Plani i BE-së përfshin vendet e zonës Shengen pa kufij, si dhe vendet jo-anëtare të BE-së, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, por jo Irlandën.
(Zëri i Amerikës)