Vendimi për mandatin e Olta Xhaçkës shtyhet për tri javë

Tiranë, 2 qershor 2023 – Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit të Shqipërisë vendosi të premten t’i japë 3 javë kohë një eksperti të kërkuar nga mazhoranca që të analizojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo gjykatë shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mocionit për papajtueshmëri të mandatit për ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Eksperti i thirrur nga Kuvendi, Krenar Loloçi, profesor i së drejtës kushtetuese, e pranoi detyrën nga Kuvendi dhe kërkoi 3 javë kohë për të përgatitur një raport mbi dy vendimet e Kushtetueses të marra në janar.

Por angazhimi i tij u kundërshtua nga deputetët e opozitës, që e cilësuan vendimin e shumicës parlamentare një tallje me ekspertin dhe me Gjykatën Kushtetuese dhe një synim për të mbrojtur kolegen e tyre nga heqja e mandatit të deputetit.

Kjo është një tjetër zvarritje e procesit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pas një mbledhjeje në mars ku PS ngriti pikëpyetje për vendimet dhe në një mbledhje tjetër në fillim të prillit kërkoi ndihmën e ekspertëve.  Por Felaj, u justifikua me faktin se Kuvendi nuk ishte mbledhur gjatë muajit të fushatës zgjedhore.

Deputeti Gazmend Bardhi tha se zvarritja ishte e qëllimshme dhe akuzoi për këtë drejtuesen e këshillit, Ermonela Felaj për mosthirrjen e mbledhjes për 2 muaj.

“Eksperti është i juaji, ne s’kemi nevojë për të lexuar vendimet,” iu drejtua ai kolegëve të mazhorancës, duke shtuar se, se kjo rrugë e zgjedhur prej tyre ishte një sfidë ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Një precedent të rrezikshëm e quajti këtë praktikë të re të Kuvendit edhe Enkelejd Alibeaj, i cili tha se “nuk mund të bëhet interpretim i vendimeve të GJK-së”.

Eksperti Loloçi tha se nuk kishte asnjë konflikt interesi me palët e përfshira në procesin në Gjykatën Kushtetuese dhe se do të bënte detyrën e tij e do të kthente përgjigjet sipas opinionit të tij për pyetjet që do t’i drejtonin deputetët.

Relatorja e çështjes nga PS, Klotilda Bushka, shtroi një dyzinë pyetjesh të cilat lidheshin kryesisht me detyrat që i lindnin Kuvendit  nga leximi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese  dhe nëse ishte e arsyeshme që për zbatimin e tyre, do të nevojiteshin amendime ligjore apo në rregulloren e Kuvendit.

“Ju garantoj që askush nuk do ta përdorë ekspertizën tuaj për arsye politike,” iu drejtua ajo Loloçit.

Ndërsa Bardhi e pyeti ekspertin nëse kishte pasur raste më parë kur Kuvendi kishte vënë në diskutim zbatimin e vendimeve të Kushtetueses.

Të ndarë në dy grupime, deputetët e opozitës bënë dy kërkesa të ndryshme për heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi.

Pasi mazhoranca votoi kundër dërgimit të papajtueshmërinë së mandatit në Kushtetuese, të dyja grupimet iu drejtuan me kërkesa të veçanta kësaj gjykate.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend duke i cilësuar antikushtetuese vendimet e mazhorancës.

Në vendimin tjetër GJK pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit, duke mos e legjitimuar si subjekt që vë në lëvizje gjykatën për këtë çështje.

(Reporter.al)