Mesazhi nga presidenti Ilir Meta, i cili mori pjesë në ceremoni
Knid Ndrenika
Presidenti Ilir Meta tha se ndihej “thellësisht i lumtur dhe krenar” që vizita e tij në Bashkinë Arbëreshe Contessa Entellina në Itali përkoi me përfundimin e përmendores së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Kjo vepër e skulptorit Vincenzo Muratore u vendos në një shesh të qytetit arbëresh në prani të presidentit Meta.
Zoti Meta tha se vendosja e kësaj vepre në sheshin kryesor të qytetit, do të jetë një thirrje e përhershme për të gjithë dhe një mesazh kujtese edhe për brezat e rinj, për të mos i harruar kurrë rrënjët dhe për të bërë gjithçka për ruajtjen e trashëgimisë tonë të vyer historike e kulturore”.
Presidenti i shprehu mirënjohjen kryetarit të bashkisë Leonardo Spera dhe të gjithë komunitetit që e cilësoi “të dashur” arbëresh të Contessa Entellina, që mbajnë gjallë figurën e Skënderbeut.
“Gjergj Kastrioti është simbol i identitetit tonë kombëtar, mbrojtës i vlerave dhe traditave të qytetërimit europian, që frymëzon në çdo kohë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale me popullin dhe Italinë mike”-shkruajti presidenti në fejsbuk.