Më 3 nëntor doli në treg vepra e re e kompozitorit shqiptar Thoma Simaku, Solilokui VI për Soprano Saksofon, publikuar në CD nga Shtëpia Diskografike prestigjoze BIS Records, si pjesë e një projekti ndërkombëtar me kompozime të reja të shkruara gjatë pandemisë për saksofonistin e njohur suedez Anders Paulsson. https://www.chandos.net/products/catalogue/BI%202644
Kjo vepër është pjesë e ciklit ‘Solilokui’, me të cilin Simaku është i angazhuar për reth 25 vjet. Cikli deri më tani përbëhet nga nëntë vepra, të cilat të gjitha janë publikuar në CD. Në shtator të këtij viti, Solilokui VII, VIII, IX për Klarinet, Marimba dhe Trompë respektivisht, të interpretuara nga solistët e Ensemble Intercontemporain të Parisit, u publikuan nga Shtëpia Diskografike Britanike NMC Recordings.
Siç shkruan kompozitori në programin për këtë vepër, “Solilokui VI është ndoshta vepra më idiosinkratike e të gjithë ciklit; ajo përqendrohet në cilësitë shprehëse të ‘saksofonit këngëtar’, që vetëshoqërohet me pasazhe virtuoze duke përfshirë të gjithë gamën e instrumentit.”
I shkruar dhe dedikuar Anders Paulsson-it, premiera botërore e Solilokui VI u dha më 20 nëntor 2021 në Stokholm.