Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Për shumë njerëz, marrja e statusit të banorit të ligjshëm të përhershëm përbën një proces të ndërlikuar dhe plot sfida. Green card-a të ofron qetësinë dhe sigurinë që tashmë mund të jetosh dhe punosh përgjithnjë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në rrethana dhe për arsye të caktuara, ky status mund t’ju hiqet.
Dënime apo arrestime për arsye të caktuara
Kryerja e disa veprave penale të caktuara mund të ketë pasoja të rënda për banorët e përhershëm, që çon deri në heqjen e statusit në fjalë (green card-ës) dhe deportim. Shkeljet që kanë të bëjnë me drogën (përfshirë dhe marihuanën), krimet e dhunës në familje, armëmbajtja pa leje si dhe vepra të tjera penale që janë në thelb të gabuara dhe bien në kundërshtim me normat morale të shoqërisë përbëjnë disa shembuj veprash penale që mund të çojnë në deportim. Ligje federale si ato që kanë të bëjnë me marihuanën mund të krijojnë një lloj konfuzioni, pasi kanabisi në shumë shtete dhe vende të huaja lejohet me ligj. Jo gjithmonë, por nganjëherë pasojat lidhen me emigracionin. Gjatë procesit të kontrollit, agjencia federale për doganat dhe mbrojtjen e kufijve u merr deklarata personave që nuk janë nënshtetas, dhe këto deklarata më vonë mund të përdoren si arsye për të mos lejuar dikë të futet në SHBA. Ka raste kur persona me green card që kthehen në SHBA marrin vesh që u është rrezikuar statusi. Mund të jetë vërtet e rrezikshme të udhëtosh jashtë shtetit kur ke patur probleme me kanabisin e legalizuar. Pas faktit të kryer, mundësitë për të paraqitur kërkesa faljeje apo forma të tjera ndihme të kësaj natyre mund të egzistojnë ose jo. Çdo rast duhet analizuar me kujdes në mënyrë që të gjendet një rrugëdalje. Është tejet e rëndësishme të flisni me një avokat përpara se të pranoni fajin për një vepër penale si dhe, përpara se çështja penale të përfundojë, të konsultoheni me një avokat emigracioni për të kuptuar se ç’pasojë mund të ketë arrestimi për statusin tuaj të emigracionit.
Kur nuk arrin të heqësh kushtet në rastin e green card-ës me kusht
Disa nënshtetas të huaj mund të marrin green card me kusht e cila vlen për një periudhë dy-vjeçare. Mos-heqja e kushteve të green card-ës në fjalë mund të ketë si pasojë heqjen e statusit të banimit me kusht si dhe deportimin. Është e rëndësishme të mos harrosh datën kur skadon green card-a me kusht si dhe të ndjekësh siç duhet procesin e nevojshëm të heqjes së kushteve.
Deklarimi në mënyrë të rreme që je nënshtetas i SHBA-së
Të huajve, përfshirë dhe atyre që janë të pajisur me green card, që deklarojnë me shkrim ose jo, në mënyrë të rreme që janë nënshtetas të SHBA-së, u kërkohet të largohen nga SHBA-ja. Një deklaratë e rreme që jeni nënshtetas i SHBA-së përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe mund të ketë pasoja ekstreme përsa i përket emigracionit. Aprovimi i një kërkese për falje në rastin e një shkeljeje të tillë, nëse ndodh, është shumë i rrallë.
Mungesë e zgjatur nga Shtetet e Bashkuara – braktisja e statusit të banorit të përhershëm
Personat e pajisur me green card që jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara për periudhë të gjatë kohe rrezikojnë të konsiderohen si persona që kanë hequr dorë nga statusi i banorit të përhershëm. Si rregull, lejohen udhëtimet jashtë SHBA-së për një periudhë prej më pak se gjashtë muaj. Një udhëtim nga gjashtë muaj deri në një vit mund të sjellë si pasojë një kontroll më të kujdesshëm në kufi dhe personi që ka green card duhet të japë shpjegim lidhur me arsyen e këtij udhëtimi të gjatë. Udhëtimet që zgjasin një ose më shumë se një vit ka shumë të ngjarë të shihen si heqje dorë nga statusi i banorit të përhershëm, përveçse kur ata që kanë kryer këtë udhëtim kanë marrë një aprovim paraprak për këtë mungesë të zgjatur duke u pajisur me dokumentin përkatës të njohur si “leja për të rihyrë” (re-entry permit).
Për hartimin e këtij informacioni falenderojmë Shoqatën e Avokatëve Amerikanë të Emigracionit.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]