Veprimtari dinjitoze te “Bijtë e shqipes”, në Philadelfia

Në mjediset e shoqatës u bë promovimi i pesë librave të z. Hys Hasa të botuara në vitet 2022 – 2024

Nga dr. Sadik Elshani

Ditën e shtunë më 7 dhjetor 2024 në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u organizua një veprimtari mbresëlënëse ku u bë promovimi i pesë librave të z. Hys Hasa të botuara në vitet 2022 – 2024. Ka vite që z. Hys Hasa me punën e tij studiuese e publicistike është bërë një autor e studiues serioze prodhimtar, jo vetëm në diasporë, por edhe në Shqipëri e të gjitha trevat shqiptare. Objekti i veprave të tij te botuara gjer më tani, 26 botime, janë: historia, traditat, figurat e njohura të fshatit të tij të lindjes, Vilë, Qarkut të Kukësit, diasporës shqiptaro – amerikane, si dhe shumë figurave te ndritura të kombit tonë. Një vend të rëndësishem në botimet e tij zënë edhe temat nga shërbimi i tij në Ushtrinë Shqiptare. Ai është pensionuar me gradën kolonel. Të gjitha këto botime i përshkon një frymë atdhedashurie, një ngrohtësi njerëzore, respekti për bashkëkombësit e tij, krenaria e ligjshme për ngjarjet historike nga e kaluara e popullit tonë. Z. Hys e adhuron fshatin e tij të lindjes, e do Kukesin, Shqiperine e gjithë trevat shqiptare Me shumë dashuri e sinqeritet ai shkruan për trungun e familjes së tij, shoket, figurat e shquara të kombit tonë, sepse ai është një njeri fisnik e burrë që i ka hije fjala e vendi. Dikush ka thënë se, që ta duash vendin tënd, duhet ta njohësh atë. Por, dashuria për atdheun bëhet edhe më e fortë kur je larg tij, kur e ndien mungesën e tij. Malli për atdheun ta përqëndron më thellë mendimin, prandaj, botimet e Hysës paraqesin ngjarje e figura të njohura edhe në detajet më të imta. Me një këmbëngulje për t’ia patur zili ai i grumbullon meterialet, kërkon informacione nga njerëz të ndryshem të të gjitha fushave të jetës: arsimit, shkencës, teknikës, mjekësiesë, mbrojtjes, etj. Por, ai paraqet edhe njerëz të thjheshtë, sepse edhe ata e kanë pervojën e tyre jetësore, kanë rrëfimet e tyre. është ajo përvoja, filozofia e popullit tonë, e zhvilluar gjatë shekujve, kryesisht nëpër odat shqiptare. Jo çdo gjë mësohet në shkolla, universitete e akademi. Veprat e z. Hasa janë një mozaik që gur-gur e paraqesin një tabllo të plotë të subjekteve që ai trajton.  Me botimet e tij ai është bërë një enciklopedi, kronist, dëshmitar serioz i jetës së trevës së Kukësit e më gjërë, diasporës shqiptaro – amerikane. P. sh. libri i tij. “Midis emigrantëve shqiptare ne Amerike” (Tirane, 2010) do të jetë një libër referencë dhe historik, që do t’u tregojë brezave të ardhshëm se si kanë jetuar prindërit gjyshërit e tyre në një periudhë të caktuar historike këtu në Amerikë.

Salla ku u zhvillua veprimtaria ishte mbushur plot me bashkatdhetarë, dashamirë të librit. Kur salla mbushet plot gjithmonë e ndien një kënaqësi shpirtërore, se ia vlen të organizohen veprimtari të tilla. Kishin ardhur bashkatdhetarë e miq të z. Hys nga Philadelphia me rrethinë, Nju Xhersi e Nju Jorku. Kjo ishte edhe një dëshmi për respektin që z. Hys Hasa gëzon në komunitetin tonë, burrë fisnik që rrezaton mirësi e energji pozitive. Me praninë e tyre këtë veprimtari e nderuan: profesor Skender Kodra, kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro – Amerikane; dr. Bexhet Asani, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë; poeti Mhill Velaj, ish-kryetar i kësaj shoqate; zonja Dirka Xhakolli, nënkryetare e shoqatës “Skënderbe”, nga Nju Jorku; profesori, studiusi e shkrimtari nga Kosova, Besim Muhadri. Sallën dhe veprimtarinë e zbukoroi një buqetë e mrekullueshme me trëndafila, të cilën e solli zonja Premisa Këlsi. Sipas traditës së shoqatës sonë veprimtarinë e hapi kryetari, z. Dritan Matraku, i cili të pranishmëve u dëshiroi mirëseardhjen në këtë veprimtari, përshëndeti mysafirët e nderuar, përgëzoi zotin Hys Hasa për punën e tij me plot përkushtim, veprimtarinë mjaft prodhimtare botuese, si dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në shoqatë. Kjo veprimtari përputhet bukur me misionin e shoqatës sonë, që është ruajtja e gjuhës, kulturës e traditave tona kombëtare, theksoi z. Matraku.

Pastaj fjalën e mori z. Tajar Domi, ish-kryetar i shoqatës, i cili kishte përgatitur një material të thukët për veprimtarinë botuese të kolonel Hys Xhemali Hasës. Ai në fillim dha disa të dhëna jetëshkrimore për z. Hys Hasa, nga fëmijëria, shkollimi, shërbimi në Ushtrinë Shqiptare, deri te pensionimi si kolonel dhe vendosja e tij në Philadelphia në vitin 2006. Ai i bëri një pasqyrë botimeve të tij, duke i analizuar disa nga ato më kryesoret: “Vila pjesë e krenarisë kuksiane” (2008), “Gjurmë vlerash jetësore në Vilë” – dy vëllime, “Midis emigrantëve shqiptarë në Amerikë” (2009), “Mes shokësh në shërbim të atdheut” (2013), “Dritare mençurie kuksiane” (2015), “Vlera intelektuale kuksiane” (2016 – 2023, 5 vëllime). Siç cekëm më lartë, janë gjithësejt 26 botime. “Boshti kryesor i gjithë kësaj pune të jashtëzakonshme, edhe pse jo në moshën më të mirë ku mund të jepet rendimenti maksimal, në të gjitha botimet e shokut e mikut tonë, Hys Hasa, është pasqyrimi i njeriut si vlerë për shoqërinë e atdheun, por në radhë të parë për familjen. Ai në të gjitha këto volume përçon tek lexuesi dëshirën e tij për t’u dhuruar bashkëqytetarëve të vet tri gjëra: dashurinë, fjalën e mirë dhe korrektësinë”. Pasi dha disa të dhëna karakteristike dhe bëri një pasqyrim të shkurtër për këto botime, vlerësimet e shumta që kanë bërë personalite të shquara, studiues e akademikë, por edhe shumë miq të z. Hys, z. Tajar bëri një përmbledhje në fund të fjalës së tij, që njëherësh është edhe emëruesi i përbashkët i veprimtarisë botuese të z. Hasa: “Pra, veprat e z. Hys Xhemali Hasa kanë në brendësi të tyre jetëshkrime njerëzish, histori e letërsi, në to përshkruhen ngjarje, luftëra, por edhe zakone, tradita e kulturë të zonës së Lumës, Kukesit e me gjërë. Ato do të përbëjnë një vlerë të madhe dhe një kontribut të pazëvendësueshëm në arkivin historik të qytetit e atij kombëtar, por edhe një pasurim të bibliotekave personale të secilit”. Këtë përfundim e përforcon më tepër edhe vlerësimi që i ka bërë veprave të z. Hys Hasa, Mësuesi i Popullit, Mjeshtri i Madh, prof. dr. Shefqet Hoxha: “Të shkruash për njerëz konkret, që i takon përditë, për vlera intelektuale pozitive të bashkëfshatarëve e bashkëkrahinarëve tuaj, është shërbimi më i madh që i bën shoqërisë së sotme”.

Folësi i radhës në këtë veprimtari ishte z. Lutfi Brami, i cili paraqiti një vështrim për librin e z. Hys Hasa, “Mirënjohje Këshillit të Qarkut të Kukësit, shoqatës “Bijtë e shqipes” dhe Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve Shqiptarë”. Në këtë libër paraqiten mendime e vlerësime të mbi 85 kuadrove, intelektualëve me mesazhe urimi, që mbartin motive inkurajues, respekti e mirënjohjeje. Për vlerat e këtij libri z. Brami u shpreh: “është i veçantë e kuptimplot. Përshkohet nga ndjenja e mirënjohjes dhe falenderimit të madh që bën z. Hys Hasa ndaj vlerësimit të figurës së tij për marrjen e titullit të lartë, “Qytetar Nderi i Qarkut të Kukësit”. Vlerat e këtij libri si dhe tërë veprimtarinë botuese të z. Hys e ka përmbledhur bukur z. Brami: “Rrëketë e burimeve nga malet e larta të Kukësit, Hysa i ka mbledhur dhe ka krijuar lumin e madh të krijimtarisë kuksiane, arkivin biografik, ditarin dhe fizionominë e tij, rezervuarin, që i jep dritë jo vetëm Kukësit, por mbarë bashkëkombësve tanë kudo që janë”.

Zoti Llazar Vero, ish-kryetar i shoqatës kishte përgatitur një paraqitje për librin e z. Hys Hasa, “Mirënjohje për ata që gdhendën emrin e tyre në pavdekësi”. Që në fillim të fjalës së tij z. Vero u shpreh: “E kam të vështirë të veeçoj botimin më të fundit të Hys Hasës, “Mirënjohje për ata që gdhendën emrin e tyre në pavdekësi”. Pse? Sepse të gjithë janë vazhdim i njëri-tjetrit. Pothuaj të gjithë flasin për Kukësin dhe kuksianët. Të gjithë janë shkruar me dashuri, përkushtim dhe krenari për ta”. Z. Vero pasi i bën një vlerësim të përgjithshëm krijimtarisë së z. Hys Hasa, ai i bën një analizë librit në fjalë, duke e vlerësuar punën e z. Hasa për vlerësimin dhe nderimin që ai u bën të gjithë atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre në ndërtimin e shumë veprave industrial, bujqësore, infrastrukturore; “Pasqyrimi me vërtetësi  punës heroike dhe sakrificave të panumërta të atyre njerëzve të thjeshtë, por mjeshtra të profesioneve të tyre, nuk eshtë vetëm një evidentim sa për të thënë, por një ndërtim dhe përjetësim i fuqishëm për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë më pas” – u shpreh z. Vero.  Pasi i cek të veçantat dhe rëndësinë e ketij libri, z. Vero bën këtë vlerësim: “Me këtë botim autori Hys Hasa i bën një shërbim qytetar jo vetëm Kukësit, por gjithë vendit dhe sidomos brezit të ri të Atdheut tonë. Botimi më i fundit i Hys Hasës shënon edhe një arritje tjetër simbolike, pasi ai ëshjtë botimi i tij i 25-të. Pena e tij nuk di të ndalet. Kam besim se libra të tjerë do të pasojnë këtë”.

Për librin tjetër të z. Hys Hasa, “Të jetosh me dashamirësinë e vlerave njerëzore” – vëllimi i dytë, referues ishte z. Petrit Zanaj, ish-kryetar i shoqatës. Ai pasi i bën një vështrim të shkurtër veprimtarisë botuese të z. Hys Hasa, kështu shprehet për librin në fjalë: “është një libër krejt ndryshe. Nuk ka një fill, një linjë që të na tregojë rrugëtimin e personazheve të tij, evolimin apo degradimin e tyre në situata të caktuara që përbëjnë thelbin e ngjarjeve në të, si dhe cili është fati i këtyre personazheve në vorbullat e ndryshme të ngjarjeve jetësore që përdoren nga autori”. Vlen të cekët se në këtë vëllim autori përshkruan takimet e tij të shumta me bashkatdhetarët, duke na rikujtuar se “vlerat e larta njerëzore qëndrojnë tek njerëzit e thjeshtë dhe punëtorë, të shkolluar apo profesionalë të zotë në punët e tyre”.

Zoti Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, u paraqit me një vështrim për dy vepra të z. Hys Hasa: “Vlerësime e mesazhe mirënjohëse” – vëllimi i dytë dhe “Vlera intelektuale kuksiane” – vëllimi i pestë”. Edhe z. Elshani bëri një hyrje të shkurtër për veprimtarinë botuese të z. Hys Hasa, pasi që gati të gjitha veprat e tij janë të lidhura me njëra-tjetrën. Pastaj ai u ndal për secalin libër veç e veç.

Ne librin “Vlërësime e mesazhe mirënjohëse – 2”, siç thote edhe tituli, autori paraqet disa vlerësime për veprat e tij nga personalitete të shquara të Shqipërisë, diasporës, përcjell mesazhet e shumta me shumë fjalë dashamirësie per botimet e tij, përshkruan angazhimet e tij dhe të miqve të tij për promovimin e librave në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në kapitullin e 7-të përshkruhen takimet e tij të shmta me familjarë, kolegë ushtarakë, grupin “Flaka”, profesor Enver Bytyçin e shumë të tjerë. Vlerësime për librat e Hyseë janë të shumta, të shrehura me kritere shkencore e me shumë respekt për punën e tij këmbëngulëse, përkushtimin për t’i paraqitur gjërat sa më realisht, me fakte, të dhëna ëe sakta në pasqyrimin e figurave e ngjarjeve historike e bashkëkohore nga treva e Kukësit. Nga shumë vlerësime po zgjedhim një që e mishëron thelbin e krijimtarisë së z. Hys Hasa, atë të ambasadorit të nderuar, Arben Çejku: “Nga shkrimet nuk vjen asgjë e keqe; maksimumi rrjedhin polemika dhe debate. Por, nga mos-shkrimi, vjen harresa, vjen vetëm erresira”! Pra, ky është edhe qëllimi i shkrimeve, veprave të Hyses: mbajtja gjallë e kujtesës së popullit tonë, traditive e personaliteteve tona, t’i kemi gjithmonë në mesin tonë e jo të tretur diku në skutat e largëta të harresës.

Në librin tjetër, “Vlera intelektuale kuksiane – 5”, që do të thoteë se autori i ka botuar edhe katër vëllime të tjera, pasqyrohen figura të shquara të trevës së Kukesit, për të na bërë të ditur se edhe kjo trevë ka dhënë personalitete të shquara, gra e burra, që kanë lënë emër në historinë, arsimin, shkencën e kulturën tonë kombëtare, me një fjalë, në të gjitha fushat e jetës, është kjo një trevë e njohur për virtytet njerëzore, bujarinë, besën, mikpritjen, trimërinë. Si në të gjitha veprat e Hysës edhe në këtë vëllim parakalon një galeri e tërë portretesh të personaliteteve të shquara të trevës së Kukësit, të portretizuara bukur me fjalor të pasur e stil te zgjedhur. Paraqiten paraardhësit e pasardhësit e tyre, trashëgimia, tradita familjare.

Të pranishmit i përshendet profesor Skender Kodra, i cili shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kësaj veprimtarie, përgëzoi autorin, duke u ndier kranar që ai është edhe anëtar i kësaj Akademie. Po ashtu pershëndeti edhe zonja Dirka Xhakolli. Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë (ShShShA) përshëndeti sekretari i saj, dr. Bexhet Asani, duke theksuar se “shoqata “Bijtë e shqipes” dhe ShShShA janë si një trung i vetëm, kanë bashkëpunuar, bashkëpunojnë e do të bashkëpunojnë përgjithmonë”. Pastaj ai vuri në pah se me z. Hys Hasa kanë diçka të përbashkët: Që të dy kanë botuar nga 26 libra, Z. Hasa ka shkruar për shqiptarët e përtej oqeanit (Amerikës), ndërsa ai ka shkruar për shqiptarët e përtej detit (arbëreshët). Përshëndeti edhe z. Mhill Velaj, ish – kryetar i ShShShA dhe në vazhdim solli përshëndetjen e presidentit të ShShShA, z. Adnan Mehmeti, i cili ndër të tjera shkruante për krijimtarinë e z. Hasa: “Si president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë dhe lexues i përhershëm i veprave tuaja, ndihem krenar për arritjet dhe sukseset tuaja. Ju përfaqësoni denjësisht letërsinë tonë, duke i dhënë zë e shpirt kulturës shqiptare përmes krijimeve tuaja frymëzuese”.

Në fund, pak i emocionuar, e mori fjalën z. Hys Hasa, i cili i falenderoi përzemërsisht të pranishmit në këtë veprimtari ku u bë promovimi i pesë librave të tij të botuar kohëve të fundit. Ai pastaj falenderoi Kryesinë dhe kryetarin e shoqatës “Bijtë e shqipes”, sponsorizuesit e shumtë që me bujarinë e tyre mundësuan botimin e këtyr librave; falenderoi redaktorin e korrektorin e këtyre librave, mikun tonë, z. Lutfi Brami dhe referuesit në këtë veprimtari. Një falenderim të vecantë ai e bëri për bshkëshorten, Xhylijen, djemtë e tij, Sokolin e Altinin, si dhe miqtë e tij për mbështetjen e dhënë në shkrimin e këtyre 26 librave, Pastaj në pika të shkurtëra foli për jetën dhe karrierën e tij ushtarake, burimin për frymëzimin e veprave të tij. Për tematikat që ai trajton në veprat e tij, u shpreh: “Unë shkruaj për vlera pozitive dhe mirënjohje vlerash të njerëzve nga më të thjeshtit e deri tek ministri apo deputeti, intelektuali e shkencëtari, personazhe që ata i takon çdo dite në kafe, në rrugë e në çdo mjedis familjar e shoqëror dhe në brendësinë e çdo libri janë mirënjohja, korrektesa dhe vlerat e shqiptarizmës, që duhet të kultivojmë tek brezat e sotëm, që ta kemi të sigurtë të ardhmen”.

Një falendrim i madh i takon edhe zonjës Julida Cepele, sekretare e shoqatës, e cila me mjaft kulturë komunikuese e moderoi këtë veprimtari madhështore.

Për të gjithë të pranishmit familja Hasa shtroi një koktel të pasur me ushqime e pije të llojllojshme. Edhe gjatë koktelit u këmbyen mendime, biseda të këndshme të rastit – u krijua tamam një atmosferë e ngrohtë që përkon bukur me atmosferën e festave të fundvitit.

Duke përfunduar këto radhë, e përgezojme përzemërsisht autorin për punën e tij me plot përkushtim, vlerësimet e qarta për personalitetet e ngjarjet historike e aktuale, për sinqeritetin, gjuhën e drejtpërdrejtë dhe atdhedashurinë e zjarrtë që na percjell. I dëshirojmë Hysës shëndet e krijimtari të begatshme!

Philadelphia, me 8 dhjetor 2024

Comment

*