Veprimtari Jim Xhema nderohet në Prishtinë, një rruge të kryeqytetit i vihet emri i tij

Prishtinë, 14 shkurt 2023 – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në vizitë veprimtarin shqiptaro-amerikan, Jim Xhema.

Në shenjë nderimi e mirënjohjeje për kontributin që zoti Xhema ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, Prishtinës, (Rruga A) është pagëzuar me emrin e tij, “Jim Xhema”.

Nikoqiri I takimit, Përparim Rama, i ka shprehur z. Xhema edhe personalisht, mirënjohje të thella për kontributin e tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Jim Xhema ka kontribuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai është marrë me çështjen e Kosovës gjatë tërë jetës së tij… Ne kemi vendosur ta nderojmë dhe ta përjetësojmë veprën e tij, përmes emërtimit të Rrugës A me emrin e tij. Tash e tutje Rruga A thirret ‘Rruga Jim Xhema’”, ka thënë Rama.

 Ai ka shprehur kënaqësinë që z. Xhema ka ardhur në Kosovë për festën e pavarësisë.

“Z. Xhema na ka nderuar me ardhjen e tij për festën e pavarësisë së Kosovës. E falënderojmë që sot është me ne dhe që do të qëndrojë disa ditë këtu… Z. Xhema e përfaqëson gjithë lobin shqiptaro-amerikan”, është shprehur Rama.

Ndërkaq, z. Xhema ka thënë se është i lumtur që ndodhet në Kosovën e lirë e të pavarur dhe bëro thirrje  që të punohet më shumë në zhvillimin e përparimin e vendit dhe të kombit.

“Jam shumë i lumtur që gjendem këto dhe jam akoma më i lumtur që shoh sa mirë po kaloni. I lutem Zotit të vazhdoni të punoni së bashku për përparimin e kombit tonë dhe të ndërtoni një vend të lirë dhe të zhvilluar ku respektohen rendi e ligji”, ka thënë ai.

Z. Xhema ka kujtuar vizitën historike të senatorit amerikan Bob Dole në Prishtinë, në vitin 1990. Ai ka thënë se vizita e parë në Kosovë e senatorit Dole, me të cilin ai kishte miqësi prej disa dekadash, ishte vërtet historike, sepse vendoste themelet e miqësisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësi kjo që kulmoi me mbështetjen e fuqishme të aspirates së popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.

Ndërkohë, Jim Xhema, bashkë me kryerarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetarin Alban Zogaj, ka bërë homazhe te varri i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ka pasur një respekt të veçantë për z. Xhema. Ai e ka vlerësuar z. Xhema si  njërin prej burrave të rrallë që e bëjnë detyrën e tyre për atdheun dhe kombin e vet, pa pritur mirënjohje e lavdata publike.

(r.m.)