Prishtinë, 5 nëntor 2022 – Pothuaj të gjitha rrugët dhe sheshet në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë mbushur me flamuj të Serbisë, të premten pasdite dhe në mbrëmje.
Sipas medieve serbe, kjo është bërë në prag të të ashtuquajturit “Kuvend i përgjithshëm kombëtar” që do të mbahet të dielën në Mitrovicën Veriore.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ka thënë se ky kuvend shpreh lojalitetin e serbëve ndaj Serbisë dhe udhëheqjes së saj>
“Serbët do të dëshmojnë bashkimin kombëtar, përkushtimin për shtetin e vetëm të Serbisë dhe mirënjohje për ekipin negociator dhe presidentin e Serbisë, i cili është në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, në takimin e së dielës në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Radojeviq.
Sipas tij, serbët e Kosovës gëzojnë mbështetje të madhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në “luftën” e tyre për mbrojtjen e “qenësisë” serbe në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë po e përcjell nga afër situatën në terren. Ne kemi mbështetjen e tij të madhe. Me të ndiejmë lehtësim në luftën tonë të mëtutjeshme”, ka thënë Radojeviq.
(r.m.)