Vershbow: Uniteti i Perëndimit – mesazh i fortë për Moskën

Uashington, 26 mars 2022 – Ish-Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ambasadori amerikan Alexander Vershbow, ka thënë se uniteti trans-atlantik lidhur me luftën në Ukrainë është një mesazh i fortë për Moskën.

“Mesazhi politik i unitetit mes vendeve perëndimore që e mbështesin Ukrainën dhe solidariteti me popullin dhe me qeverinë ukrainase ka dërguar një mesazh shumë të rëndësishëm për popullin ukrainas që po vuan nga lufta. Kjo i ka dërguar një mesazh edhe Moskës se shpresat e saj për të përçarë Perëndimin vazhdojnë të jenë të kota”, ka thënë Vershbow, citon Zëri i Amerikës.

Ish-Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë gjithashtu se agresioni rus ndaj Ukrainës e ka transformuar peizazhin e sigurisë në Evropë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka përsëritur të shtunën në Varshavë, në Poloni, se presidenti rus, Vladimir Putin, është gabuar që ka llogaritur në përçarje midis aleatëve veri-atlantikë.

Perëndimi është më i bashkuar se asnjëherë deri më tani në përpjekjet për të ndaluar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Krahas mbështetjes me armë dhe me fonde për forcat mbrojtëse të Ukrainës, Perëndimi ka vendodur ndaj Rusisë sanksione të paparamenduara deri më tani.

(r.m.)