Vërshime të mëdha në Kosovë, Qeveria ngre nivelin e gatishmërisë

Prishtinë, 17 shtator 2022 – Qeveria e Kosovës ka reaguar sot lidhur me situatën pas reshjeve të shumta të shiut, duke ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues.

Qeveria njoftoi se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, bashkë me kryetarët e komunave dhe me zyrtarë të institucioneve përgjegjëse, po i vizitojnë komunat e prekura, për të parë gjendjen dhe për të koordinuar veprimet për ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) bashkë me njësitë e zjarrfikësve dhe njësitë e kërkim-shpëtimit nëpër komuna janë të gatshme të reagojnë.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar të gjithë akterët dhe ka përcjellë njoftimin për ngritje të nivelit të gatishmërisë dhe bashkë po e monitorojnë gjendjen. AME është duke e përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe është e gatshme për reagim me Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komuna”, thuhet në njoftim.

Vërshimet që shkaktuan reshjet e mëdha të shiut që ranë të premten gjatë natës dhe të shtunën në mëngjes kanë prekur më së shumti disa lagje të qytetit të Gjakovës, si edhe disa fshatra të komunës së Gjakovës dhe të komunës së Rahovecit. Situatë më e rënduar paraqitet në lagjet “Shote Galica”, “Yllka Domi”, “Dergut Vokshi”, “Permet Vula” të qytetit të Gjakovës.

Një lagje e fshatit Brekoc, e banuar kryesisht me qytetarë të komunitetit rom, është përmbytur tërësisht për shkak të rritjes së nivelit të lumit Ereniku. Agjencia e Menaxhimit Emergjent njoftoi se nëntë familje me së paku 80 anëtarë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër.

Për fat të mirë, vërshimet e natës së kaluar dhe të ditës së sotme kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, njoftoi për disa shtëpi dhe atomjete të dëmtuara në Gjakovë dhe në Rahovec.

“Deri më tani nuk kemi ndonjë raport se dikush ka pësuar, përveç dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Ka dëme në disa rrugë, automjete dhe në disa shtëpi, sidomos në bodrume”, tha Elezaj.

Ai tha se ka nisur pastrimi i rrugëve lokale të bllokuara nga matrialtinerte.

Ali Morina, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në këtë komunë.

“Aktualisht gjendja është e qetë, reshjet janë ndërprerë, mirëpo dëme ka të jashtëzakonshme. Jemi në terren duke e inspektuar gjendjen. Ka dëme në ekonomi familjare, dëme në bujqësi, në infrastrukturë publike, në të gjitha”, tha Morina.

(r.m.)