Prishtinë, 16 qershor 2022 – Qindra pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan të enjten para Parlamentit të Kosovës në Prishtinë kundër projektligjit për pagën minimale, i cili u miratua në parim dy ditë më parë, i cili nuk e përfshin rritjen e pensioneve të veteranëve barabar me pagën minimale.
Forcat të shtuara të policisë rrethuan ndërtesën e parlamentit, ndërsa protestuesit i kaluan rrethojat e oborrit duke brohoritur kundër projektligjit që nuk përfshin pensionet e tyre dhe kundër qeverisë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, kërkoi tërheqjen e projektligjit.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë. Lirisht mund t’ju them se secilën herë që deputetët do të kenë seanca ne do të jemi këtu”, tha ai.
Brenda parlamentit që ishte mbledhur për çështje të tjera, përfaqësues të partive opozitare pamundësuan punimet e seancës në orët e paraditës.
Pas një ndërprerjeje disa orëshe, ligjvënësit u mblodhën sërish dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të anulojë pjesëmarrjen e tij të premten në Forumin e Prespës, në Maqedoninë e Veriut, për t’u takuar me veteranët.
“Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin, paga minimale e ka shprehjen minimale përbrenda, pra paga është ajo e cila jepet për punën që bëhet, paga është në kohën e tashme të vazhdueshme, nuk jepet pagë për diçka para 23 vjetve. Ne jemi që veteranët të kenë kompensim, mirënjohje, falënderim më të lartë se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre, por duhet të mbërrijmë te numri i vërtetë”, tha ai.
Megjithatë, partitë opozitare kundërshtuan vazhdimin e punimeve të parlamentit.
“Ajo çfarë po kërkojmë ne është që këta njerëz, kategoria më e ndershme e më së shumti që ka dhënë kontribut për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, të trajtohet me dinjitet. Të dilni, t’i ftoni në takim, të ua komunikoni dhe sot kjo seancë të ndërpritet pikërisht për respektin ndaj tyre, ndaj përbuzjes që ua keni bërë”, tha Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Lejoni procesin konsultativ ndërmjet subjekteve politike të përfaqësuar në kuvend, ministrisë dhe palëve, ejani diskutojmë dhe largojeni këtë krizë, përndryshe seanca sot nuk do të mbahet, ne do të jemi këtu, vazhdoni ju me tuajën e ne me tonën”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Pas një pushimi të dytë, kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se seanca e së enjtes shtyhet për javën tjetër, për shkak të mungesës së kushteve për vazhdimin e saj.
“Seanca e sotme shkoi si shkoi, me këtë bllokim i cilia mua të them të drejtën mu duk krejtësisht i paarsyeshëm, meqë nuk mendoj se ka pasur lidhje kjo seancë me temën për të cilën sot edhe është protestuar, por edhe është bllokuar seanca. Mirëpo për shkak të asaj që nuk shoh edhe kushte që të vazhdojmë për arsye se një pjesë e opozitës po insiston që kjo seancë të bllokohet, e vazhdojmë atë javën e ardhshme”, tha ai.
Mos vazhdimi i seancës ishte kërkesë edhe e protestuesve të cilët qëndruan pranë ndërtesës së parlamentin deri në shtyrjen e saj, e më pas u shpërndanë për t’u takuar të premten me kryeministrin Kurti.
Projektligji i miratuar në parim, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht. Nëse ky projektligj hyn në fuqi, veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre. Përveç protestave veteranët paralajmëruan se cështjen do ta dërgojnë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)