Prishtinë, 19 tetor 2021 – Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian i ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë, me përjashtim të komunave të banuara më shumicë serbe, ku ka pasur konkurrencë të kufizuar politike.
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, në një konferencë për media, të martën (19 tetor) tha se procesi zgjedhor është organizuar mirë dhe në mënyrë efikase. Pluraliteti i kandidatëve ka ofruar për votuesit një zgjidhje të vërtet, më përjashtim të komunave më shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ka thënë ai.
“E kemi parë që Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës, madje ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe dhe aktivistëve të tyre. Për fat të keq gratë kanë qenë të nën përfaqësuara në gara për kryetarë të komunave, financimi i fushatës nuk ishte transparentë”, ka thënë Mandl.
Ai ka thënë se, ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e BE-së i kanë vizituar 400 vendvotime në nivel vendi dhe katheksuar se votimi ka qenë i rregullt dhe i qetë, përkundër disa shqetësimeve të vërejtura në një numër rastesh, siç ishte votimi me asistencë dhe votimi me dokumente të identifikimit me afat të skaduar.
Mandl, ndër të tjera, ka thënë se kuota gjinore e kandidatëve për asambletë komunale është respektuar, por numri i grave kandidate për kryetare të komunave ka qenë mjaft i vogël.
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve për ushtrimin e qetë dhe paqësor të së drejtës së tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit lokal.
Ajo ka thënë se fushata zgjedhore ka qenë konkurruese dhe është zhvilluar pa incidente serioze.
“Këto zgjedhje komunale kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin”, tha Viola von Cramon.
Megjithatë, edhe ajo katheksuar se Lista Serbe dhe aktivistët e sajkanë ushtruar presion ndaj qytetarëve në komunat e banuara më shumicë serbe.
’Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që në mënyrë efikase t’i zbatojë procedurat zgjedhore dhe nuk është vërejtur ndonjë parregullsi e madhe, çoftë në periudhën parazgjedhore, çoftë në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Viola von Cramon.
Organizatat joqeveritare që e kanë monitoruar procesin e votimit më 17 tetor kanë thënë se janë vërejtur disa parregullsi të cilat nuk mund ta cenojnë integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve. Disa nga parregullsitë e evidentuara, sipas tyre, kanë qenë votimi me asistencë, ushtrimi i presionit mbi votuesit si dhe prania e personave të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit.
Sipas rezultateve preliminare, të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në votimin e 17 tetorit janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërsa në 21 komuna do të zhvillohet edhe një raund tjetër i votimit për dy kandidatët më të votuar në raundin e parë.
Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe ka fituar në 9 komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 5 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në dy komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar gjithashtu në dy komuna. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore në rrethin e parë në asnjë komunë.
(r.m.)