Prishtinë, 19 janar 2025 – Tetëmbëdhjetë vëzhgues evropianë nisën të dielën punën në terren për të mbikëqyrur fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se vëzhguesit afatgjatë të këtij misioni u vendosën të dielën në gjithë Kosovën dhe filluan detyrat e tyre.
Shefja e këtij misioni, Nathalie Loiseau, njoftoi të shtunën se zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë do t’i vëzhgojnë mbi 100 vëzhgues që do të vijnë nga 18 vende të Bashkimit Evropian.
”Ekipet janë me kombësi dhe gjini të përzier. Ata do të vlerësojnë fushatën dhe përgatitjet për zgjedhje ndërsa mbulojnë të gjitha komunat e Kosovës. Vëzhguesit janë të pavarur dhe të paanshëm”, tha ajo.
Zonja Loiseau theksoi se për Kosovën nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani ruajtja e standardeve demokratike.
“Jetojmë në një kohë kur demokracitë po vihen në pikëpyetje. Ndonjëherë ato po kërcënohen globalisht. Kështu që rëndësia e sigurimit të një demokracie të qëndrueshme në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e madhe. Prandaj ne do të vëzhgojmë, vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të shmangemi nga vënia në dukje e çfarëdo lloj hapësire për përmirësim aty ku ne e shohim të mundshme”, tha ajo.
Zonja Koiseau theksoi gjithashtu se prania e misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian është dëshmi edhe e mbështetjes së vazhdueshme evropiane ndaj Kosovës në rrugën e forcimit të mëtejshëm të qeverisjes demokratike.
“Rëndësinë e kësaj po e tregojmë edhe në numra. Në ditën e zgjedhjeve do të jenë mbi 100 vëzhgues evropianë në terren. Prandaj misioni i Bashkimit Evropian është i vemi mekanizëm vëzhgues ndërkombëtar me një prani afatgjate”, tha ajo.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë do të garojnë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 lista qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim” që i vëzhgon proceset zgjedhore në Kosovë tha të shtunën se, ndryshe nga nga zgjedhjet e dertitashme në Kosovë, gjatë kësaj fushate është përdorur një gjuhë fyese, denigruese dhe e urrejtjes.
Të enjten Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e gjobiti me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me me 12 mijë euro dhe lëvizjen Vetëvendosje me tre mijë euro për shkak të shkeljes së kodit të mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
(r.m.)