Tiranë, 13 shkurt 2023 – Në Tiranë, vëzhgues të pavarur po publikojnë raporte problematike mbi klimën parazgjedhore. Ata shprehën shqetësimin për moskryerjen e reformës zgjedhore, si dhe për ndikimet e tërthorta ndaj votuesve me presione dhe me fonde të përqëndruara në kohë fushate.
Nga mesi i janarit Shqipëria ka hyrë në periudhën 4-mujore të kufizimeve në përdorimin e burimeve shtetërore për zgjedhjet vendore të 14 majit, por këto kufizime nuk po monitorohen, theksuan ata.
Në raportin e parë të monitorimit për sivjet, Akademia e Studimeve Politike thekson se Shqipëria po shkon në zgjedhjet vendore me të njëjtat problematika, që u vërejtën në zgjedhjet e mëparshme, të cilat nuk u trajtuan nga Kuvendi dhe partitë politike.
Raporti thekson se qytetarëve iu mohua mundësia për të votuar sipas një reforme zgjedhore bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, reformë e cila nuk u krye.
Erjon Tase, një nga autorët e raportit, thotë se moskryerja e reformës la pa trajtuar çështje themelore, që kanë ngritur vëzhguesit ndërkombëtar.
“Ekzistojnë probleme të shumta të konstatuara nga raportet ndërkombëtare, nga OSBE/ODIHR dhe Këshilli i Europës, të cilat me sa duket, nuk kanë gjetur zgjidhje për këto zgjedhje. Mbeten si probleme shit-blerja e votës, përdorimi i burimeve shtetërore. Aktualisht janë 61 bashki në dorë të shumicës socialiste dhe mund të ketë shkelje gjatë zgjedhjeve. Po ashtu është edhe problemi i financimit të fushatës, financimi nga palë të treta, shpërdorimi i mediave sociale në fushatë, ku nuk ka kontroll as KQZ as institucione të tjera”, thotë zoti Tase.
Ndërsa Qendra studimore Open Data Albania vërejti që, megjithëse vendi ka hyrë në periudhën zgjedhore, pra në 4 muaj para datës së votimit, njësitë e qeverisjes vendore vijojnë të realizojnë procedura tenderuese për nevoja të ngushme si dhe për investime afatgjata.
Nga 1 janari deri sot Bashkitë kanë shpallur 160 tendera me vlerë fond limit afro 34 milionë dollar, sipas ODA, vetëm 40 nga 61 bashki kanë shpallur procedura të reja, por janë tenderuar 7 kontrata me vlerë mbi 100 milion lekë, dhe vetëm 4 bashki kanë njoftuar kontraktime të tilla
“Konstatojmë se disa bashki, ndonëse jemi në vit zgjedhor, kur do të kemi rikonkurrim ose rotacione në kryet e bashkisë, kanë tenderuar shërbime publike, të cilat kanë afat dy, tre apo katërvjeçar. Pas majit mund të tjemi në situate paradoksale kur kryetari dhe këshilli bashkiak mund të ndyshohen, por kontraktorët e katër viteve të ardhshme janë vendosur qysh në këtë çast”, thotë Brahaj.
Akademia e Studimeve Politike theksoi se megjithë përpjekjet e KQZ-së që të zgjidhë problemet e mbartura, ky institucion nuk ka kompetenca vendimmarrëse.
I gjithë pushteti vendor gjendet në duart e shumicës socialiste, ndërsa paqartësitë mbi kompetencat e kontrollit për kufizimet në përdorimin e burimeve shtetërore mund ta lehtësojnë angazhimin e fondeve publike dhe administratës shtetërore gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Zoti Tase thotë se administrata është e tejfryrë me mbi 185 mijë punonjës, ndërkohë sapo janë miratuar edhe 2 mijë e 500 punësime me kontrata të përkohshme.
“Ne jemi duke monitoruar deri diku edhe përdorimin e aplikacionit Aktivisti, i cili është një tjetër shqetësim i konstatuar dhe bërë publik nga media. Për fat të keq, pas rastit të skandalit të Patronazhistëve, i cili u regjistrua si shqetësim edhe në raportet ndërkombëtare, edhe ky aplikacion besoj se do të jetë një problem, që do të përmendet”, thotë drejtuesi i Akademisë së Studimeve Politike.
Zoti Tase theksoi se nevojiten hetime nga institucionet mbi funksionet e këtij aplikacioni, i cili ka përfshirë një numër të madh punonjësish të administratës, dhe që mund të vendosë ata në presione e shantazh me humbje të vendeve të punës në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në këtë lloj aktivizmi të pikëzuar online.
Mos-monitorimin e shkeljeve gjatë kufizimeve parazgjedhore nga një institucion me kompetenca dhe penalitete të qarta e kanë si shqetësim edhe tek Qendra Open Data Albania.
Aranita Brahaj thotë se monitorohen tubimet, por nuk monitorohet lëvizja e parave nga thesari në terren deri pak javë para zgjedhjeve.
Ajo shtoi se në fund të dhjetorit qeveria ndryshoi buxhetin, duke u dhënë disa bashkive fonde shtesë për detyrime të prapambetura.
Përqëndrimi i ndarjes së parave në periudha zgjedhore ndodhi në zgjedhjet e vitit 2021, kur u dhanë fonde familjeve të dëmtuara lehtë nga tërmeti dhe u ndihmuan ato të dëmtuara rëndë nga tërmeti, theksoi ajo.
“Nëse bashkitë akumulojnë detyrime të prapambetura dhe ato i paguajnë në periudhën zgjedhore, atëherë jemi në riskun e lartë që këto para të nxjerra përmes thesarit për t’u shpërndrë në periudha zgjedhore do të ndikojnë dhe do të deformojnë vullnetet e votuesve, duke patur një fluks më të madh parash nëpër duar”, thotë drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj.
Forcat kryesore nuk kanë arritur të përmirësojnë klimën parazgjedhore dhe shpesh fushatat zhvillohen me tensione dhe skandale të të ndryshme, ku bazohen më pas edhe dyshimet apo mosnjohja e rezultateve zgjedhore.
Për t’u theksuar sivjet është futja për herë të parë e numërimit elektronik të votave në tre qytete më 14 maj, por deri atëherë ka shumë hapa të tjerë për t’u hedhur nga subjektet politike dhe nga administrata zgjedhore.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)