Viktimat e shpërthimit të Gërdecit fitojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut

Strasburg, 7 nëntor 2023 – Shtatëmbëdhjetë viktima të një shpërthimi në një depo municionesh në Gërdec, Shqipëri, në vitin 2008, duke përfshirë një çift, fëmija shtatëvjeçar i të cilit u vra, fituan çështjen e tyre në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, vendosi të martën se 17 viktima të një shpërthimi në një depo municionesh në Gërdec në mars 2008 u “privuan nga mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjyqin penal” të ministrit të Mbrojtjes së vendit, i cili u akuzua për shpërdorim detyre për shpërthimin.

Në mesin e paditësve ishin edhe prindërit e Erison Durdajt, 7 vjeç në atë kohë, i cili mbeti i vrarë nga shpërthimi. Kushërira e tij, Roxhens Durdaj, atëherë 11 vjeç, pësoi djegie të rënda.

Shpërthimi, i cili vrau 26 persona, ndodhi ndërsa municionet e periudhës komuniste në Shqipëri po çmontoheshin. Më vonë u mësua se puna po bëhej nga një kompani private pa garancitë e nevojshme – një nga shumë skandale korrupsioni që prekën qeverinë e qendrës së djathtë të asaj kohe.

Pas shpërthimit, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen dhe deputetët e koalicionit qeverisës ranë dakord të votonin për heqjen e imunitetit të tij.

Megjithatë, ai u rizgjodh deputet në vitin 2009 dhe pas kësaj, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen, duke pretenduar se parlamenti duhej të votonte sërish për heqjen e imunitetit të tij. Prokurorët nuk e shtynë çështjen dhe çështja nuk shkoi më tej.

Kjo bëri që GJEDNJ të vendosë se paditësve iu është hequr e drejta për të marrë pjesë në një proces ligjor.

“Autoritetet e prokurorisë nuk kishin dhënë shpjegime bindëse për dështimin e tyre për të rifilluar hetimin menjëherë pas rizgjedhjes së Mediut si deputet, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze për gatishmërinë dhe zellin e tyre për të ndjekur çështjen dhe duke krijuar një potencial për mosndëshkim”, thuhet në vendimin e GJEDNJ-së.

“Ndërsa gjykata nuk po mbante qëndrim në lidhje me përgjegjësinë e tij penale, ajo konsideroi se aplikuesit, si dhe publiku i gjerë kishin të drejtë të dinin jo vetëm rrethanat në të cilat kishte ndodhur tragjedia e Gërdecit, por edhe rolin e saktë që ish-ministri i Mbrojtjes kishte luajtur në të”, shtoi ajo.

Shqipëria rihapi çështjen kundër Mediut në vitin 2021 dhe ajo është ende në vazhdim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky nuk është rasti i parë që viktimat e shpërthimit të Gërdecit fitojnë në GJEDNJ. Në vitin 2021, gjykata vendosi në favor të një burri, çështja e dëmshpërblimit të të cilit nuk u shqyrtua nga një gjykatë shqiptare për shkak se ai nuk mund të paguante dot shpenzimet e kërkuara ligjore.

(Reporter.al)