Budapest, 12 shtator 2024 – Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e priti në Budapest presidentin e Republikës Sërpska të Bosnjës e Hercegovinës, Millorad Dodik.
“Ata buseduan për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) dhe se si Hungaria, si kryesuese e Këshillit të BE-së, mund ta përmirësojë këtë proces”, tha zëdhënësi i Orbanit, Bertalan Havasi.
Vetë Orbani, shkroi në rrjetin social X se takimi i tij me Dodikun ishte “në shërbim të thellimit të stabilitetit të Bashkimit Evropian”.
“Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është thelbësor për BE-në. Në vend të leksioneve dhe sanksioneve, ne besojmë në dialog dhe bashkëpunim. Takimi im sot me presidentin Millorad Dodik i shërbeu këtij qëllimi”, shkroi ai.
Orbani është njëri nga aleatët kryesorë të presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjës e Hertcegovinës dhe njëri nga liderët e paktë të BE-së që janë të gatshëm të takohen me të. Ata janë takuar të paktën tri herë në vitin 2023.
Në fillim të këtij viti, Dodiku e dekoroi Orbanin me “Urdhrin e Republikës Sërpska”, në një ceremoni në Banja Llukë.
Me këtë dekoratë janë nderuar të gjithë presidentët e mëparshëm të Serbisë, kreu i Kishës Ortodokse Serbe dhe pesë personat e dënuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë, përfshirë ish-udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës e Hercegovinës, Radovan Karaxhiq, dhe ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq.
Dodik e ka ka dekoruar me me “Urdhrin e Republikës Sërpska” edhe Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Vitin e kaluar, Dodik është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, për shkak të përpjekjeve të tij për ta minuar marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës së Bosnjës e Hercegovinë, në vitet ’90.
Qeveria e Hungarisë ka vënë veton kundër vendfosjes së sanksioneve të BE-së ndaj Dodikut.
(r.m.)