Viola von Cramon: Ka shumë të ngjarë që Vuçiq i ka premtuar armë Ukrainës, që të mos e njohë Kosovën

Bruksel, 22 gusht 2023 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar takimin mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cramon ka shkruar se “ka shumë të ngjarë” që Vuçiqi i ka premtuar armë Ukrainës në shkëmbim të mosnjohjes së Kosovës.

“Ka shumë të ngjarë që Vuçiqi ka pranuar ta takojë Zelenskyn, për të ushtruar presion mbi Ukrainën: armë për të mos e njohur Kosovën. Shpresoj që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në takimin e tyre në Athinë, ka folur për “respektimin e integritetit territorial”, duke tërhequr paralele mes territoreve ukraiinase të pushtuara nga Rusia dhe “Kosovës e Metohisë” (Kosovës)..

“Ne iu referuam situatës në Ukrainë dhe Kosovë e Metohi. Theksova edhe një herë se Serbia e respekton integritetin territorial të Ukrainës, gjë të cilën e kemi thënë qartë që nga nisja e konfliktit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

(r.m.)