Bruksel, 15 gusht 2023 – Eurodeputetja gjermane Viola Von Cramon ka deklaruar se Kosova po e humb kredibilietin e saj te komuniteti ndërkombëtar dhe për ta kthyer atë duhet t’i përmbushë obligimet që i ka marrë përsipër.
“Kosova është mirë të fokusohet më shumë tek vetja dhe t’i kryejë obligimet që i ka marrë përsipër. Ju nuk bëni kurrfarë ndryshimi nëse e drejtoni gishtin diku tjetër. Së paku ky është qëndrimi i institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian. Nëse Kosova dëshiron të bëhet një lojtare e rëndësishme në mesin e komunitetit ndërkombëtar, atëherë fillimisht duhet të dëshmojë se është një lojtare kredibile, por këtë nuk është duke e treguar”, ka thënë ajo për Tëvë1.
Von Cramon ka thënë se Kosova duhet t’i tërheqë plotësisht njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri.
“E gjithë rrëmuja që është krijuar në pjesën veriore të Kosovës duhet të rregullohet. Lidhur më këtë çështje tashmë ka një marrëveshje dhe ajo vetëm duhet të respektohet. Pra, do të ishte veprim i duhur që njësitet speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga objektet komunale në veri. Para se të flisni për palën serbe është më mirë t’i kryeni detyrat tuaja”, është shprehur ajo.
Eurodeputetja Von Cramon ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi jetike për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të vendit. Por, ajo ka theksuar se, tash për tash, te asnjëra palë nuk po sheh vullnet për zbatimin e tyre.
“Momentalisht te asnjëra palë nuk po shoh vullnet politik për zbatimin e marrëveshjeve”, është shprehur ajo.
(r.m.)