Rafaela Prifti
Një ditë që vjen një herë në katër vjet ka historinë e vet të evolucionit dhe rëndësi të jashtëzakonshme për qytetërimin. Nëse kemi rënë dakord ta pranojmë si një lloj rregullatori të nevojshëm për njerëzimin, mbase ka ende shpresë për të lejuar konvencione të tjera praktike.
Fenomeni, prej të cilit muajit shkurt i shtohet dita e 29, i mrekullon mendjet me prirje për shkencat e matematikës, gjurmuesit e origjinës së kalendarëve dhe të interesuar të tjerë. Instituti Teknologjik i Kalifornisë e quan vitin e brishtë një “modifikim për efekt sinkronizimi të dukurive vjetore të tilla si ekuinokset dhe solsticet.” Pra, një korrigjim për të drejtpeshuar faktin se orbita e Tokës nuk është saktësisht 365 ditë të vitit, sepse, siç ka konfirmuar NASA, për ta plotësuar udhëtimin duhen edhe gjashtë orë të tjera. Prandaj, duke shtuar një ditë ose 24 orë në katër vjet, planeti Tokë e ruan balancën e vet delikate në sistemin tonë qiellor.
Uebsajti i Smithsonian Institute jep shpjegimin shkencor për vitin e brishtë. Midis të tjerave ka edhe një sqarim se edhe pse muaji shkurt mund të ketë 29 ditë, viti mund të mos jetë i brishtë. Për të qenë i tillë duhet të jetë i pjesëtueshëm jo vetëm me 100 por edhe me 400. Për sa na takon neve që jetojmë tani në Tokë, vitet 2020, 2024, 2028, 2032, 2036 janë vite të brishtë. Nëse shkenca do t’i përmbahet kësaj praktike, në vitin 2100 nuk do ketë ditë shtesë, ashtu siç nuk kishte në vitin 1900. Arsyeja e kapërcimit është e njëjta me atë të ekzistencës së saj, thonë shkencëtarët. Pa atë, stinët që ndjekin lëvizjet e hënës dhe diellit do shfazoheshin duke sjellë një kaos të përmasave parahistorike meqë qytetërimet e lashta e ndërtuan jetën e përditshme nga punët bujqësore deri te blatimet për hyjnitë në fazat e hënës dhe të diellit, mbi të cilat u krijuan kalendarët që u trashëguan brez pas brezi.
Periudha e Perandorisë romake përmban plot të dhëna dhe kuriozitete për shumësinë e kalendarëve në hapësirat gjigande të saj. Kalendari i Jul Çezarit i vitit 46 Para Erës së Re ishte modeli i botës perëndimore për qindra vjet, deri në shekullin 16 kur hyri kalendari gregorian i njohur me emrin e krijuesit të tij. Për shkak se donte që kreshma e Pashkëve të përkonte me stinën e pranverës, Papa Gregori XIII dhe këshilltarët klerikë bënë disa kalkulime të hatashme në kalendarin Julian se kur duhej të kishte apo të mos kishte vit të brishtë.
Për 29 shkurtin mund të lexosh sa të duash materiale madje edhe një botim që del vetëm në këtë ditë si ‘La Bougie du Sapeur’ në kioskat e Francës sot. Gjithmonë ka shumë kureshtje për ata që kanë lindur në datën 29 të muajit të dytë dhe me të drejtë sepse nuk është fjala vetëm për festimin e ditëlindjes por për pajisjen me patentë automjeti, regjistrime në sigurime shëndetësore etj, data shkakton çrregullime nëse nuk është e ingranuar në sistem.
Duke pranuar 29 shkurtin si praktikë konvencionale për njerëzimin, që rrjedhimisht e bën vitin që jemi 2024 me 366 ditë, është provuar aftësia jonë për dobitë praktike të saj. Dhe për këtë ia vlen të mendosh sot.