Viza trevjeçare – A mund të qëndroj në SHBA gjatë gjithë kohës që zgjat viza?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Kam marrë vesh që ambasada amerikanë në Tiranë do t’u japë shqiptarëve viza trevjeçare. Çfarë është viza trevjeçare? A mund të qëndroj tre vjet në SHBA?

FH

Së pari, ju falenderojmë që lexoni rubrikën Çështje të Emigracionit. Na gëzon fakti që rubrika jonë ka lexues jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Europë. Do të bëjmë maksimumin që t’ju ndihmojmë t’i jepni përgjigje pyetjeve që keni në lidhje me emigracionin.

Një vizë trevjeçare nuk ju jep mundësinë të qëndroni në SHBA për tre vjet me radhë. Gjasat janë që sa herë të shkoni, t’ju lejojnë të rrini aty jo më shumë se gjashtë muaj. Me vizën tre vjeçare me shumë hyrje për vizitorë, mund të vizitoni SHBA-në sa herë të dëshironi deri sa të mbarojë afati tre vjeçar i skadimit të vizës. Në vizën e vizitorit tregohet se për sa kohë personi i pajisur me vizë mund ta përdorë vizën si dhe sa hyrje i lejohen. Viza mund të jetë pa afat dhe e vlefshme për shumë hyrje ose mund të ketë afat të kufizuar dhe të jetë e vlefshme vetëm për një numër të kufizuar hyrjesh.

Viza shërben si leje për të kërkuar të hysh në SHBA. Ajo është një dokument që i bashkangjitet pasaportës. Vizat i jep Departamenti i Shtetit (DOS) të SHBA-së dhe pjesa më e madhe e tyre jepen nga ambasadat dhe konsullatat në vende të ndryshme. Kur dëshironi të shkoni në SHBA, fillimisht duhet të bëni kërkesë për vizë pranë ambasadës apo konsullatës amerikane. Një nga zyrtarët aty do të vendosë nëse kualifikoheni apo jo për të marrë vizë. Viza nuk është leje për të hyrë në SHBA, por është thjesht dëshmi që aplikimi është shqyrtuar nga një zyrtar konsullor i SHBA-së dhe zyrtari në fjalë ka vendosur që personi i pajisur me vizë i përmbush kriteret për të udhëtuar drejt SHBA-së për një arsye të caktuar.

Viza përmban të shkruar datën e skadimit. Kjo nënkupton që viza është e vlefshme ose mund të përdoret nga data e saj e dhënies deri në datën e skadimit, për të njëjtin qëllim udhëtimi, kur është me shumë hyrje. Periudha kohore nga dita kur është dhënë viza deri në ditën kur skadon quhet periudha e vlefshmërisë së vizës. Personi i pajisur me një vizë me shumë hyrje dhe që udhëton shpesh si turist, nuk ka nevojë të paraqesë kërkesë për vizë sa herë dëshiron të shkojë në SHBA. Data e skadimit të vizës nuk duhet ngatërruar me kohëzgjatjen e lejes së qëndrimit në SHBA e cila i jepet udhëtarit nga një zyrtar i emigracionit të SHBA-së në pikën e hyrjes.

Në cilëndo pikë hyrjeje, është oficeri i U.S. Customs and Border Patrol (CBP) (i agjencisw federale që është e ngarkuar të mbrojë kufijtë e SHBA-së) që vendos nëse një person duhet lejuar ose jo të futet në SHBA si dhe për sa kohë mund të qëndrojë aty gjatë një vizite të caktuar. Zakonisht, oficeri në fjalë do t’ju lejojë të rrini për jo më shumë se gjashtë muaj. Vetëm oficeri i emigracionit mund t’i lejojë dikujt të hyjë në SHBA. Oficeri në fjalë vë një vulë në dokumentin e udhëtimit të personit me vizë joemigruese. Vula përmban datën e pranimit, kategorinë e pranimit si dhe datën deri kur pranohet personi. Në të kaluarën, ky informacion gjendej në formularin I-94 (Arrival/Departure Record). Diçka e tillë nuk bëhet më për ata që vijnë nga ajri apo deti. Tani, CBP-ja e merr informacionin për mbërritjen dhe largimin e udhëtarit në mënyrë elektronike nga të dhënat e tyre elektronike të udhëtimit. Nëse udhëtari do të donte një formular I-94 si letër, ai ose ajo mund të bëjë kërkesë gjatë proçesit të inspektimit. Përmbushja e të gjitha kërkesave bëhet gjetkë.  

Vizitorëve të huaj që vijnë në SHBA përmes ajrit apo detit nuk u kërkohet më të plotësojnë formularin I-94 përpara mbërritjes. Ata që duhet të tregojnë dëshmi të statusit të tyre të ligjshëm si vizitorë – punëdhënësve, shkollave/universiteteve apo agjencive qeveritare – mund ta marrin informacionin që u nevojitet në internet. Nëse, për të verifikuar statusin e emigracionit apo për të marrë lejen e punësimit, udhëtarëve u nevojitet informacioni që përmban formulari I-94 i pranimit, siç është numri i regjistrimit si dhe të dhëna të tjera që kanë të bëjnë me momentin e pranimit në SHBA, është mirë që ata ta marrin numrin e tyre të I-94-ës.

Personi që ka aplikuar për ndreqje statusi për të marrë green card, përpara se të largohet nga SHBA-ja, duhet të kontaktojë USCIS-in për të marrë leje udhëtimi.

Mund të ndodhin gjëra që mund të çojnë në anullimin e periudhës kohore të vlefshmërisë së vizës. Qëndrimi përtej afatit që lejon viza është një veprim që sjell automatikisht anullimin e vizës. Megjithatë, nëse paraqisni në kohë aplikimin për zgjatje të kohës së qëndrimit apo për ndryshim statusi dhe ky aplikim është në pritje për t’u shqyrtuar si dhe ka baza reale, atëherë viza nuk anullohet. Për të qëndruar më gjatë duhet të paraqisni një kërkesë për shtyrje të qëndrimit. Për këtë qëllim duhet të përdorni formularin I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status.

Dikush që vjen si vizitor duhet të shohë me kujdes datat deri kur është i autorizuar të qëndrojë si dhe të sigurohet që po i ndjek siç duhet të gjitha proçedurat. Nëse nuk e bën diçka të tillë, vizitori mund të humbasë statusin. Qëndrimi në SHBA përtej afatit të lejuar përbën shkelje të ligjeve të emigracionit të SHBA-së dhe në të ardhmen, personi që shkel ligjin në këtë mënyrë mund të mos kualifikohet për vizë. Diçka e tillë ka të bëjë me ligjin e “barrierave për t’u rifutur” në SHBA dhe pasojat janë mjaft serioze. Në artikujt e ardhshëm të rubrikës sonë do të prekim disa nga këto çështje që kanë të bëjnë me “barrierat për t’u rifutur” në SHBA.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]