janë disa personazhe të njohur në vendin tonë, duke nisur me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreun e SPAK, Arben Kraja, e prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela
Knid Ndrenika
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, zhvilloi ditën e djeshme një “vizitë virtuale” në Shqipëri, ku bisedoi me krerët e politikës, si kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha, por edhe me ata që ambasada amerikane në Tiranë i cilësonte si “kampionët” e Reformës në Drejtësi.
Në një mesazh sot në “Facebook”, ambasada e SHBA në Tiranë zbardhi detaje nga takimi virtual i Palmer me “kampionët” e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Por, kush janë “kampionët” e Reformës në Drejtësi? Ambasada amerikane ka publikuar edhe disa foto nga biseda e Palmer me njerëzit, që kanë në dorë Reformën në Drejtësi.
Siç shihet në foto, “kampionë” të kësaj reforme janë disa personazhe të njohur në vendin tonë, duke nisur me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreun e SPAK, Arben Kraja, prokurorin e Përgjithshëm, Olsjan Çela, si dhe Ardian Dvorani. Ndërkohë, siç shihet në foto “kampion” i Reformës në Drejtësi është edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, si dhe disa gazetarë të njohur, si Sokol Balla apo Mero Baze.
Emrat e të gjithë “kampionëve” të Reformës në Drejtësi: Etilda Gjonaj, Vitore Tusha, Mero Baze, Sokol Sadushi, Arjon Dyrmishi, Aurela Anastasi, Afrim Krasniqi, Erida Skëndaj, Artur Metani, Arben Kraja, Olsian Çela, Yuri Kim, Naureda Llagami, Gent Ibrahimi, Andi Dobrushi, Gjergj Erebara, Erinda Ballanca, Emanuela Ajasllari, Sokol Balla dhe Ardian Dvorani.