Vjosa Osmani: Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!

Tiranë, 3 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës së shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, që u zhvillua sot në Tiranë.

Zonja Osmani, në një postim në Facebook, e ka cilësuar Kadarenë “titani i letërisë”.

“Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor”, ka shkruar ajo.

“…jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la”, ka theksuan ajo.

Postimi i plotë:

Me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën.

Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la.

Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën.

Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!

(r.m.)