Moskë, 12 dhjetor 2022 – Presidenti Vladimir Putin nuk do të mbajë konferencën e tij të fundvitit me gazetarë këtë muaj, njoftoi Kremlini, 10 muaj pas nisjes së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, që nuk po shkon siç priste Moska.
Ngjarja është një element kryesor i kalendarit të presidentit rus pasi i jep atij mundësinë të tregojë se i ka gjërat nën kontroll ndërsa ulet i vetëm në një skenë për një seancë pyetje-përgjigje me gazetarët që mund të zgjasë më shumë se katër orë.
Por lufta e cila filloi më 24 shkurt, nuk i ka shkuar mirë udhëheqësit rus. Forcat e tij u detyruan të tërhiqen nga kryeqyteti ukrainas Kiev në fillim të luftës dhe kanë pësuar humbje të mëdha në fushën e betejës në lindje dhe jug të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u pyet në një telefonatë me gazetarët nëse ishte caktuar një datë për “konferencën e madhe të shtypit” të këtij viti dhe u përgjigj: “Jo, nuk do të ketë një të tillë para vitit të ri”.
Ai tha se zoti Putin do të gjente mënyra të tjera për të komunikuar me gazetarët, duke vënë në dukje se ai kishte mbajtur konferenca të tjera shtypi, përfshirë gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.
Të premten e kaluar, zoti Putin iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve gjatë një vizite në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek.
Dmitry Peskov tha se Kremlini do të caktojë më vonë një datë për fjalimin vjetor të presidentit Putin në të dy dhomat e parlamentit të Rusisë, i ngjashëm me fjalimin vjetor të presidentit të SHBA-së në Kongresin amerikan.
Vladimir Putin gjithashtu organizon çdo vit një paraqitje televizive me anëtarët e publikut, të quajtur “Linja e drejtpërdrejtë me Vladimir Putinin”, e cila u mbajt për herë të fundit në qershor të vitit 2021.
Konferenca e shtypit e fundvitit të kaluar u zhvillua më 23 dhjetor, pothuajse saktësisht dy muaj përpara fillimit të pushtimit, pasi Kremlini po mohonte akuzat e Ukrainës dhe të SHBA-së se dhjetëra mijëra trupa ruse që grumbulloheshin pranë kufirit parashikonin nisjen e pushtimit.
Presidenti rus përdori konferencën vjet për të thënë se Rusia donte të shmangte konfliktin me Ukrainën dhe Perëndimin, por kishte nevojë për një përgjigje të menjëhershme nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ndaj kërkesave të saj për garanci sigurie.
Ai tha se Rusia nuk dëshiron konflikt, por ka nevojë për garanci ‘të menjëhershme’. Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi thanë në atë kohë se kushtet e Moskës ishin të papranueshme.
(Zëri i Amerikës)