VMRO DPMNE i jep ultimatum kryeministrit Zoran Zaev

Shkup, 8 nëntor 2021 – Partia më e madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO DPMNE,  ka dale  me një ultimatum të ri për kryeministrin Zoran Zaev, i cili vazhdon të heshtë.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së, ka thënë se kjo parti do të kërkojë votëbesimin e qeverisë, nëse Zaev nuk e dorëzon dorëheqjen të hënën deri në orën 14.30.

“Do të jem preciz, deri ora 14:30 do ta dorëzojmë nismën për mocion votëbesimi ndaj kësaj Qeverie, derisa paraprakisht Zaev nuk e mban premtimin e tij për dorëheqje të parevokueshme”, ka deklaruar ai.

Mickoski u beson 61 deputetëve që e kanë firmosur nismën për krijimin e shumicës së re parlamentare.  Ai i ka cilësuar si spekulime raportimet se disa deputetë mund t’i tërhiqen firmat e tyre për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, propozimi për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë vendoset në seancë plenare në ditën e tretë pas dorëzimit në Kuvend.

Por, ai ka shtuar se nuk duhet shpejtuar me krijimin e shumicës së re parlamentare.

“Ta kryejmë një herë punën e parë, të shkelim në shkallën e parë e pastaj të hapërojmë hap pas hapi. Ta kryejmë punën e parë dhe pastaj pasojnë procedurat”, është shprehur ai.

Zoran Zaev nuk e ka dorëzuar ende në Kuvend dorëheqjen nga pozita e kryeministrit, të cilën e ka paralajmëruar pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale që nxorën në paj humbjen e LSDM-së.

(r.m.)