Shkup, 7 shtator 2022 – Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski të mërkuren dorëzoi në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nismën për organizimin e një referendumi për shfuqizimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, të arritur në vitin 2017. VMRO-DPMNE e kundërshton marrëveshjen, duke thënë se autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut i kanë bërë lëshime të mëdha vendit fqinj në dëm të interesave kombëtare dhe historike maqedonase. Zoti Mickovski u bëri thirrje banorëve të Maqedonisë së Veriut për të votuar në mbështetje të nismës për shfuqizimin e marrëveshjes me Bullgarinë.
Nëse kërkesa miratohet, pyetja në referendum do të ishte: “A jeni për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqnjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë të shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë më 18. 01. 2018?”
Hristijan Mickovski duke folur për median tha se u bënte thirrje të gjitha partive, qytetarëve pa dallim përkatësie etnike dhe politike, shoqërisë civile dhe të gjithë individëve “që të bashkohen në një shoqëri gjithmaqedonase dhe të vihen kundër problemit kryesor të integrimit tonë evropian, Marrëveshjes me Bullgarinë”.
Ai mohoi se me kërkesën për referendum po hiqte dorë nga thirrjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Mickovski dëshiron që së pari të mblidhen njëqind nënshkrime “të kualifikuara”, nga të cilët i pari do të ishte nënshkrimi i tij. Më pas lista do të dërgohej në Parlament për të marrë dritën jeshile. Nëse parlamenti e miraton këtë, atëherë do të niste faza e mbledhjes së 150 mijë nënshkrimeve të qytetarëve për organizimin e referendumit. Për këtë gjë ka një afat prej tre muajsh.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së shpreson se këto nënshkrime do të mblidhen për një kohë shumë të shkurtër.
Por, presidenti Stevo Pendarovski është kundër kësaj nisme. Ai tha se nuk mund të flitej për integrime evropiane nëse Maqedonia e Veriut nuk dëshiron marrëveshje për fqinjësi të mirë me fqinjët e saj. Sipas presidentit maqedonas, referendumi do ta frenonte integrimin evropian të vendit.
Duke folur gjatë një konference shtypi në Shkup me homologen e tij sllovake Zuzana Chaputova, zoti Pendarovski theksoi se shfuqizimi i marrëveshjes me Bullgarinë do të mund të çonte në shfuqizimin eventual të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, dhe nëse kjo do të ndodhte vendi i tij nuk do të mund të vazhdonte të ishte më anëtar i NATO-s. Ndërkohë, Presidentja Chaputova theksoi mbështetjen e fuqishme të Slloaviksë për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE.
Sidoqoftë, që referendumi të jetë i suksesshëm, në të duhet të marrin pjesë pak më shumë se mbi 900 mijë votues dhe prej tyre 50 përqind, plus një votë më tepër do të nevojitej për shfuqizimin e marrëveshjes.
Analistët e shikojnë këtë veprim të opozitës maqedonase si një mundësi për “matjen e forcave” dhe ndikimit tek elektorati, ndonëse partitë në pushtet nuk kanë dhënë shenja se do të mbështesnin organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare para zgjedhjeve të rregullta të vitit 2024.
(Zëri i Amerikës)