Shkup, 10 maj 2022 – Në Maqedoninë e Veriut, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE protestuan të martën në parlament duke penguar zhvillimin e seancës. Shkaku i protestës sipas tyre ishte refuzimi i kërkesës nga kryeministri Dimitar Kovaçevski për t’u takuar me drejtuesin opozitar, Hristijan Mickovski, ku ky i fundit do të ngrinte çështjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Ligjvënësit e VMRO-së thanë se do të bllokojnë në të ardhmen zhvillimin e seancave të rregullta parlamentare, deri sa të arrihet një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili njëkohësisht drejton Lidhjen Social Demokrate, e ka cilësuar si ultimatum dhe kërcënim kërkesën e zotit Mickovski të VMRO-së, që në takimin e tyre të parë, të ngrihej çështja e zgjedhjeve të parakohshme.
Koalicioni qeverisës, Social-demokratët, Bashkimin Demokratik për Integrim dhe partia Alternativa kanë një shumicë të brishtë, me 64 deputetë në parlamentin me 120 vende dhe nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)