Shkup, 30 prill 2024 – Ende pa u mbajtur zgjedhjet parlamentare të 8 majit, VMRO DPMNE-ja e ka shpallur veten fituese, madje edhe i ka emërtuar partitë me të cilat do ta formonjë qeverinë e re.
Bazuar në rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, më 24 prill, në të cilat doli binshëm e para kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente, Gordana Silanovska-Davkova, kreu i kësaj partie maqedonase, tani në opozitë, Hristijan Mickoski, ka thënë se VMRO-ja do të jetë fituese e dyfishtë në zgjedhjet e 8 majit.
Në të gjitha tubimet partiake dhe në paraqitjet publike, Mickovski ka thënë se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të krijohet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i partive opozitare shqiptare, VLEN.
Në zgjedhjet e 24 prillit koalicioni opozitar shqiptar, me 83.000 votat e fituara ,është radhitur pas Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që mori 121.000 vota. Por, pavarësisht kësaj, Mickoski ka thënë se BDI-ja do të kalojë në opozitë.
Sipas tij, në qeveri nuk do të ketë vend për “njerëz të përfshirë në krim dhe korrupsion”, të cilët, siç është shprehur Mickoski, pas 8 majit “do të përgjigjen për të gjitha aferat korruptive”.
“Për VMRO DPMNE-në qëndrimet dhe përcaktimet janë shumë të qarta. Nuk dua të flas me emisarët që [Ali Ahmeti] i dërgon çdo ditë për koalicion me VMRO DPMNE-në. BDI-ja për mua është kapitull i përfunduar dhe do të shkojë në opozitë”, ka deklaruar Mickoski.
Ai e ka akuzuar BDI-në edhe për “hipokrizi”. Sipas tij, kjo parti “në njërën anë aktron patriotizëm, ndërsa në anën tjetër dërgon emisarë për t’u bërë pjesë e qeverisë së re”.
Por, edhe përfaqësues të koalicionit VLEN kanë thënë se do të jenë pjesë e qeverisë së re, madje, kanë përmendur edhe pozitat që do t’i kenë. Ata kanë thënë se janë “përfaqësues legjitimë të shqiptarëve” për dallim nga BDI-ja, e cila merr pjesë në zgjedhje në koalicion me pesë parti të bashkësive tjera etnike.
“Duke qenë garuesit e vetëm në kampin politik shqiptar dhe, natyrisht, fitues të këtij blloku, ne jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitimë të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na obligon që t’i përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverinë e ardhshme, ku, pos tjerash, do të drejtojmë institucione të rëndësishme të Punëve të Brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për ta luftuar kështu fuqishëm dhe drejtpërdrejt krimin dhe korrupsionin shumëvjeçar”, ka deklaruar Afrim Gashi, një nga drejtuesit e koalicionit VLEN.
Në Bashkimin Demokratik për Integrim thonë se pjesëmarrjen në qeveri nuk e përcakton Mickoski apio partia e tij, por e përcaktojnë votuesit në zgjedhje.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka porositur përfaqësuesit e koalicionit VLEN që të mos e bëjnë gabimin, që, siç është shprehur, e kishte bërë, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) e Menduh Thaçit në vitin 2006, kur kishte hyrë në qeveri pa votat e elektoratit shqiptar.
“Opozitarët shqiptarë do të bënin mirë që të mos e bëjnë gabimet që e ka bërë kolegu im i mëhershëm. Në vitin 2006 u bë një gabim dhe koston e pagoi partia e atëhershme [PDSH]”, ka deklaruar Ahmeti.
Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka ekzistuar një rregull i pashkruar, sipas të cilit qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.
Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët, ka qenë pjesë e qeverive, si me LSDM-në ashtu edhe me VMRO DPMNE-në, të cilat kishin dale votuese tek elektorati maqedonas. Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017, kur Qeveria u formua nga LSDM-ja, ndonëse i kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas.
Ajo arriti ta krijojë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe ta formojë Qeverinë, duke e larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që asokohe drejtohej nga Nikolla Gruevski.
Qysh atëherë, VMRO DPMNE-ja ka thënë se rregulli “fituesi me fituesin” nuk do të vlejë më.