Londër, 8 shkurt 2023 – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, arriti të mërkurën në Britani, në udhëtimin e tij të dytë jashtë Ukrainës që kur Rusia nisi një agresion ndaj vendit gati një vit më parë.
Zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak tha se presidenti Zelenskyy do t’i drejtohet parlamentit në Londër dhe do të vizitojë trupat ukrainase që po stërviten me forcat britanike.
Kryeministri Sunak njoftoi gjithashtu se Britania do të trajnojë pilotët ukrainas në “avionët luftarakë të standardeve të NATO-s” dhe Britania do të përshpejtojë ndihmën e saj me pajisje ushtarake për Ukrainën.
Welcome to the UK, President @ZelenskyyUa.
— Rishi Sunak (@RishiSunak) February 8, 2023
🇬🇧🇺🇦 #SlavaUkraini pic.twitter.com/rMoBTC3ken
Mbretëria e Bashkuara tashmë ka trajnuar trupat ukrainase, duke përfshirë edhe përdorimin e tankeve britanike Challenger 2, që Britania po ofron si përgjigje ndaj thirrjeve të Ukrainës për pajisje më armatime të rënda për t’iu kundërvënë forcave ruse.
Gjermania, Danimarka dhe Holanda thanë të martën se po planifikojnë të dërgojnë të paktën 100 tanke më të vjetra Leopard 1 në Ukrainë.
Tanket Leopard 1 u prodhuan nga mesi i viteve 1960 deri në mesin e viteve 1980 dhe, pasi të bëhen përsëri gati për betejë, do të arrijnë te luftëtarët e Kievit deri në muajt e verës. Por, ministrat e mbrojtjes të Gjermanisë, Danimarkës dhe Holandës thanë në një deklaratë se armatimi shtesë do të “rrisë ndjeshëm mundësitë ushtarake të Ukrainës për rivendosjen e tërësisë së shkelur tokësore”.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë prej ditësh se presin që forcat ruse të kryejnë sulme të reja në Ukrainën lindore dhe jugore në përvjetorin e parë të agresionit të filluar me 24 shkurt, megjithëse analistët perëndimorë kanë shprehur rezerva rreth aftësisë së Rusisë për të kryer një ofensivë të re të madhe.
(Zëri i Amerikës)