Tiranë, 27 shkurt 2024 – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbërriti në orët e vona të mbrëmjes të së martës në Tiranë, ku ai do të jetë pjesë e Takimit të Nivelit të Lartë “Ukrainë – Europa Juglindore” i cili do të mbahet të mërkurën. Ai u prit në aeroport nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili në një postim në rrjetin social X shkruajti se ky është “një moment kyç për nxitjen e lidhjeve dypalëshe dhe qëndrimin në solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit të Rusisë”.
Great honor to welcome President @ZelenskyyUa to Tirana.
— Igli Hasani (@IgliHasani) February 27, 2024
A pivotal moment for fostering bilateral ties, and standing in solidarity with Ukraine in its heroic fight against Russia’s aggression.
🇦🇱🤝🇺🇦#WeStandwithUkraine pic.twitter.com/ngGan0Mdev
Kjo është hera e parë që presidenti ukrainas viziton Shqipërinë. Dy vjet më parë, kur agresioni rus ndaj vendit të tij kishte vetëm pak muaj që kishte nisur ai ju drejtua parlamentit shqipar përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë video. Dy muaj më pas kryeministri Rama, vizitoi Kievin, në shenjë solidariteti me Ukrainën.
Edhe samiti që do të nisë të mërkurën në Tiranë, i bashkëorganizuar me Kievin, është po ashtu shprehje e mbështetjes që kjo pjesë e Europës, ku jo të gjithë janë anëtarë të Bashkimit europian apo të NATO-s, i japin Ukrainës dhe qëndresës së saj ndaj agresionit rus.
Përpara nisjes së samitit, presidenti ukrainas Zelensky do të ketë një takim kokë më kokë me kreyministrin shqiptar në mjediset e selisë së qeverisë. Më pas do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e Traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më herët ministrat e jashtëm të të dy vendeve do të kenë po ashtu një takim të veçantë.
Presidenti Zelensky dhe kryeministri Rama do të hapin punimet e samitit, me një fjalim, ndërsa më pas gjithshka do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës, dhe ajo ka përkrahur pa hezitim të gjitha sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Shqipëria po ashtu luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ajo ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ishte bashkëpenëmbajtëse me SHBA-të, për çështjen e Ukrainës. Në raport me kapacitetet e saj Shqipëria po ashtu rezulton ndër vendet kryesore për kontributin ofruar Kievit edhe me armatime.
Në samitin e Tiranës, bie në sy mungesa e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, Zyrtarisht mësohet se mospjesmarrja e tij është argumentuar me rastin e përvjetorit të aksidentit të rëndë hekurudhor të ndodhur më 1 mars të vitit të kaluar në Selanik, por, siç kanë vënë në dukje dhe mediat greke, ajo në fakt lidhet qartazi me qëndrimin kritik të Athinës ndaj çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. Ishte pikërisht kjo çështje, e cila bëri që në gusht të vitit të kaluar, kryeministri grek të shmangte haptazi ftesën për homologun e tij shqiptar Edi Rama, në përvjetorin e samitit të Selanikut në vitin 2003, ku u diskutua e ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor. Në atë takim, zoti Mitsotakis, kishte ftuar përveç udhëheqësve të rajonit të Ballkanit edhe presidentin ukrainas Zelensky.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)