Prishtinë, 25 prill 2021 – Pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, ka hasur në reagime edhe në qarqet diplomatike. Kritikët e parë publik të këtij akti të Kurtit ishin raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, dhe ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Zonja von Cramon e ka quajtur të “papranueshëm” votimin e Kurtit.
“Nuk e kuptoj se çfarë është kjo. Në njërën anë, të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrjen nga Serbia apo nga vet presidenti, Aleksandar Vuçiq, por në anën tjetër, kryeministri i Kosovës madje voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën për mua”, ka shkruar von Cramon në Twitter.
Ndërsa, Grenell ka thënë se “kjo tregon shumë” për Kurtin dhe se “komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues për motivet” e Kurtit.
“Kryeministri i Kosovës po voton në zgjedhjet shqiptare. Kjo i tregon botës aq shumë për Kurtin. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë dyshues ndaj motiveve të tij”, ka shkruar Grenell në Twitter.
(r.m.)