Von Cramon: Serbia s’po bën asnjë lëvizje për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën. Përkundrazi.

Bruksel, 20 prill 2024 – Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se dialogu me Serbinë është vendimtar për zhvillimin e Kosovës dhe për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Ajo ka theksuar nevojën që të ketë progres më të shpejtë nga të dy palët për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe në Ohër.

Zonja von Cramon ka thënë se Serbia nuk po bën asnjë lëvizje për zbatimin e marrëveshjes. Përkundrazi, po vepron në kundërshtim me çfarë thuhet në pikat e marrëveshjes.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm përse nuk po ecën përpara (marrëveshja), sepse Serbia nuk ka bërë asnjë lëvizje të vetme. Përkundrazi. Ata tani madje edhe po e bllokojnë ose po përpiqen të bllokojnë (Kosovë), gjë që nuk mendoj se do të ketë sukses, në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kjo është absolutisht e papranueshme”, ka thënë von Cramon në një intervistë për Kosovapress.

Zonja von Cramon ka thënë se ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak, nuk ka përse kritikohet për dështimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Ajo ka thënë se arsye e dështimit është “mungesa e vullnetit politik” të të dyja palëve.

“Nuk i takon Lajçakut ta realizojë. Mendoj se duhet shumë vullnet politik nga kjo anë (Prishtina), por edhe nga Beogradi”, është shprehur ajo.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë se është optimiste se Kosova do të pranohet anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Ajo ka thënë se disa shtete janë më kritike ndaj Kosovës dhe kërkojnë përparim në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka thënë se cilat janë këto vende.

Megjithatë, zonja von Cramon ka shfaqur shpresën se Kosova do ta ketë shumicën e votave edhe në Komitetin e Ministrave të Punëve të Jashtme.

(r.m.)