Von Cramon: Serbia t’i lirojë menjëherë kosovarët, mos ta turpërojë veten

Bruksel, 17 prill 2024 – Eurodeputetja Viola von Cramon i ka bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë menjëherë shtetasit e Kosovës të ndaluar në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

“Serbia duhet të ndalë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lirojë mbajtësit e pasaportave dhe letërnjoftimeve të Kosovës që të kalojnë kufirin Serbi-Kroaci në Batrovci. Liria e lëvizjes duhet të sigurohet për të gjithë, pa diskriminim në baza kombësie”, ka shkruar ajo në Twitter.

Qindra kosovarë janë bllokuar nga autoritetet serbe në zonat neutrale të pikëkalimeve kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe me Hungarinë, të cilët do të kalonin nëpër Serbi. Atyre u janë marrë dokumentet e identifikimit dhe janë lënë në zonat neutrale prej mbrëmë, para mesnatës.

Udhëtarëve të bllokuar nuk u është dhënë asnjë shpjegim, ndërsa pronari i një kompanie transportuese të udhëtarëve ka thënë se autoritetet kufitare i kanë thënë se kjo po bëhet “me urdhër nga lart”.

(r.m.)