Von Cramon: Serbia vazhdon t’ua heqë shqiptarëve të drejtat themelore

Bruksel, 21 dhjetor 2021 – Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar për heqjen e shtetësisë, të drejtës së viotës dhe të drejtave tjera themelore për shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Ajo e ka rishpërndarë në Twitter një postim të aktivistes për të drejtat e njeriut, Flora Ferati, e cila ka paraqitur të dhëna për uljen e numrit  të votuesve në disa fshatra të komunës së Medvegjës,

Von Cramon ka thënë se kjo po ndodh në jug të Serbisë, në një rajon të populluar kryesisht me shqiptarë.

“#Depasivizimi i shtetësisë serbe po vazhdon, siç tregon qartë edhe kjo tabelë. Kjo po ndodh në një rajon të populluar kryesisht nga shqiptarët, në jug të #Serbisë. Si dhe pse qytetarëve të zakonshëm mund t’u hiqen të drejtat e tyre themelore?”, ka pyetur ajo.

Në tabelën e paraqitur nga zonja Ferati shihet se në vitin 2012 në fshatin Gjylekreshtë ishin 379 votues të regjistruar, ndërsa në vitin 2019 vetëm 63 votues. Në fshatin Kapit, në vitin 2012 ishin 293 votues,kurse në vitin 2019 ishin 123, në Tupallë në vitin 2012 ishin 943 votues, ndërkaq në vitin 2019 ishin 407. Në Sijarinë në vitin 2012 ishin 603 votues ndërsa në vitin 2019 ishin 177. Në Sfricë në 2012-ën ishin 807 votues kurse në 2019-ën ishin 232, në Ramabajë në vitin 2012 ishin 433 votues ndërkaq në vitin 2019 255. Në Banjë të Vjetër në vitin 2012 ishin 113 votues, ndërkaq në vitin 2019 ishin vetëm 41, në Gërbac në vitin 2012 ishin 446 votues ndërkaq në vitin 2019 ishin 133.

(r.m.)