Von Der Leyen dhe Scholz: Po presim hetim të plotë të ngjarjeve në Banjskë

Tiranë, 16 tetor 2023 – Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula Von der Leyen, dhe kancelari gjerman Olaf Scholz e kanë dënuar fuqishëm sulmin terrorist të serbëve në pjesën veriore të Koosovës më 24 shtator.

Në përfundim të samitit të krerëve të Bashkimit Evropian dhe liderëve të Procesit të Berlinit që umbajt të hënën në Tiranë, Von der Leyen e ka quajtur të tmerrshëm sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Ajo ka thënë se gjatë punimeve të samitit është dënuar fuqishëm ky sulm. Ajo ka thënë se BE-ja është duke i procesuar informatat dhe po presin hetimin e plotë në mënyrë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, si[është shprehur, “në bashkëpunim me të gjitha vendet e BE-së”.

Edhe kancelari Scholz ka thënë se e kanë dënuar fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale, dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”, ka thënë Scholz.

Edhe ai ka thënë se autoritetet e BE-së po presin hetim të plotë të sulmit.

“Kemi dënuar edhe aktivitetet që kemi parë në veri të Kosovës, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Ne këtë nuk do ta pranojmë dhe kjo është e qartë për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Ne kërkojmë hetim të plotë të ngjarjes nga autoritetet kosovare. Po ashtu, kërkojmë edhe nga autoritetet serbe që të bashkëpunojnë. Ballkani Perëndimor ka nevojë për zhvillime paqësore”, ka thënë ai.

Scholz u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun er ndërmjetësuar nga BE-ja.

(r.m.)