Berlin, 14 mars 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të martën shprehu shpresën se Kosova dhe Serbia do të jenë shumë konstruktive në takimin e së shtunës në Ohër të Maqedonisë, ku do të diskutohet aneksi i zbatimit të Propozimit evropian.
Ajo tha se kjo është një mundësi për të dy vendet që të shfrytëzojnë momentin për normalizim të raporteve.
“Kjo është mundësia, tani, që të dyja palët të shfrytëzojnë momentin dhe një normalizim është parësor ose vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit. Kështu që unë shpresoj shumë që të dyja të jenë shumë konstruktive në bisedimet e ardhshme”, tha Von der Leyen. në një takim të Agjencisë Evropiane të Lajmeve, transmeton DW.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ditë më parë ishte për vizitë në Ëashington ku u takua me presidentin Joe Biden. Pas takimit, ajo bëri të ditur se me presidentin amerikan kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.
“E kemi prekur këtë temë shkurt… Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë. Nuk është e lehtë dhe ende ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por e rëndësishme është se po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët”, ishte shprehur Von der Leyen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan në parim për Propozimin evropian për normalizimin e raporteve.
Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut do të mbahet takimi i radhës i Kurtit dhe Vuçiqit. Në këtë takim do të diskutohet plani për zbatimin e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, I cili përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(r.m.)