Von der Leyen: Serbia të zbatojë marrëveshjet, përfshirë njohjen “de facto” të Kosovës

Beograd, 31 tetor 2023 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje Serbisë t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun mes saj dhe Kosovës.

Pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, të martën, Von der Leyen ka thënë se Marrëveshja bazë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë e përfshin njohjen “de facto” të Kosovës nga Serbia.

E pyetur se si mund të kërkohet nga Serbia njohje de fakto tës Kosovës, ndërsa pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, zonja Von der Leyen ka thënë se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit në Ohër në muajin mars mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësimin e BE-së.

“Bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton njohjen e dokumenteve dhe të institucioneve (të Kosovës) nga Serbia, së bashku me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Von der Leyen.

“Kjo do t’i hapë rrugë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që është parakusht i domosdoshëm për rrugën evropiane (të Serbisë)”, ka shtuar ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian ka shfaqur shpresën se Serbia do të vazhdojë rrugëtimin drejt BE-së.

“Shpresoj dhe jam i bindur se do të përfitoni nga momenti. Ne duam të vazhdojmë me hapat e anëtarësimit, përfshirë politikën e jashtme”, ka thënë ajo.

Van der Leyen i ka cilësuar si “hapa të rëndësishëm” reformat sistemore, forcimin e institucioneve, zhvillimin e demokracisë dhe lirinë e medies.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se “Serbia i di detyrimet e saj” dhe ka lënë të kuptohet se nuk e ka ndërmend ta njohë Kosovën as “de facto”.

“Serbia i di detyrimet e saj, është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin. Por, është e qartë se çfarë nuk mund të bëjë në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe për këtë janë njoftuar shumë herë të gjithë partnerët”, ka thënë Vuçiq.

“Këtë e kam përsëritur pafundësisht dhe nuk e kam të vështirë ta pësëris. Nuk më vjen turp për këtë dhe jam krenar që e them edhe para presidentes së Komisionit Evropian”, ka theksuar Vuçiq.

“Ne e dimë se çfarë ka pranuar Serbia dhe çfarë kemi miratuar në Kuvend, Ne do t’i kryejmë obligimet tona”, ka shtuar ai.

Vuçiq ka thënë se njohja e Kosovës “nuk është çështje” për Serbinë.

“Serbia i di detyrimet që dalin nga dialogu dhe është i gatshme t’i përmbushë ato”, është shprehur ai, ndërsa e ka akuzuar Kosovën se “nuk e ka përmbushur obligimin e vetëm” – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë nuk është deklaruar qartë për draftin evro-amerikan të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka  thënë se ky draft “është bazë e mirë për bisedime”, por ka shtuar se ai nuk mund të flasë “për hollësitë e draftit”.

Vuçiq ka bërë të ditur se sanksionet ndaj Rusisë dhe marrëdhëniet me Kosovën kanë qenë në qendër të takimit të tij me Prresidentin e Komisionit Evropian. Ai ka thënë se kët janë “dy pengesat kryesore në rrugëtiminn e Serbisë drejt BE-së”.

Para se të shkonte në Beograd, Ursula von der Leyen vizitoi Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, ndërsa nga Serbia do të shkojë në Bosnjë e Hercegovinë, ku e përfundon turneun e saj në Ballkanin Perëndimor.

Në të gjitha takimet e saj në rajon, ajo i ka inkurajuar vazhdimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

(r.m.)