Bruksel, 19 shtator 2024 – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takua në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune, me të cilët diskutoi për zgjerimin dhe për një plan për rritje ekonomike kushtuar atyre.
Në një shkrim në X pas takimit, Von der Leyen tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkim Evropian.
“Sot i prita liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Që të gjitha gjashtë vendet e kanë vendin në Evropë. Pikërisht për këtë jemi duke punuar. Njëkohësisht, ne jemi duke i sjell ekonomitë dhe tregjet e tyre më afër tonave me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin”, shkroi ajo.
Në drekën e punës morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë drekës u bisedua për planet e Komisionit të ri Evropian dhe për iniciativat strategjike, korridoret e gjelbra dhe rrugën evropiane.
Sipas tij, presidentja Von der Leyen kishte një qëndrim pozitiv ndaj zgjerimit.
Plani i Rritjes
Në drekën e punës u diskutuan mbi agjendën reformuese që të gjitha vendet, përveç Bosnje e Hercegovinës, e dorëzuan me kohë në Bruksel.
Bëhet fjalë për reformat që lidhen, ndër të tjera, me sundimin e ligjit, demokracinë, reformat institucionale, parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit, si dhe ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të siguruar që fondet të mos keqpërdoren.
Për të marrë fondet financiare nga Plani i Rritjes, çdo shtet nga Ballkani Perëndimor ishte i obliguar të dërgonte agjendën reformuese.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë “një ndër vendet e para” që ka dorëzuar agjendën e reformave “duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes”.
Vuçiq tha se Serbia së shpejti do të marrë këstin e parë prej 112 milionë eurosh nga Plani i Rritjes.
Presidenti serb beson se tregu i unifikuar në Ballkanin Perëndimor është kushti themelor për t’u bashkuar me tregun e unifikuar evropian.
“Ai që nuk dëshiron të marrë pjesë, ai bie nga loja. Të gjithë të tjerët që e bëjnë këtë dhe e pranojnë përmes CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit, ata mbeten në lojë. Ne mbetemi në lojë. Duam një Ballkan të Hapur”, tha ai, duke aluduar në kryeministrin Kurti.
Por, sipas Qeverisë kosovare, Kurti e “konfirmoi mbështetjen” për Procesin e Berlinit”, derisa shprehu “angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”.
Kosova dhe Serbia kanë mosmarrëveshje rreth CEFTA-s, Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, pasi kjo e para ndaloi importin e mallrave serbe më 2023.
Ndërkohë, Vuçiq shtoi se, sa i përket kushteve për Planin e Rritjes “të gjithë kriteret nga agjenda reformuese, nga ndihma shtetërore, tenderët publikë, të gjitha i kemi përmbushur dhe i kemi nënshkruar”.
“Mendoj se vetëm një vend nuk ka ardhur me kriteret themelore të përmbushura. Një i tillë nuk do të mund të dëmtojë përparimin e të tjerëve, ky është një parim i mirë”, tha Vuçiq.
Radio Evropa e Lirë mësoi se dokumenti mbi Planin e Rritjes që Bosnja e Hercegovina i dorëzoi Brukselit nuk plotëson kriteret për të qenë i pranueshëm për Komisionin Evropian (KE).
Siç merret vesh, Bosnja e Hercegovina ka dërguar një dokument të paplotë që nuk reflekton të gjitha rekomandimet e KE-së.
Bosnja dhe Hercegovina ka humbur kështu afatin për të dërguar në kohë agjendën reformuese që është e nevojshme për të marrë fonde financiare nga Plani i Rritjes për rajonin.
Von der Leyen me këtë takim po ashtu dëshmoi se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky Plan i Rritjes.
Për Kosovën dhe për Serbinë, përveç kritereve të përgjithshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kusht për të përfituar nga ky Plan i Rritjes është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që përfshin edhe zbatimin e të gjitha obligimeve nga procesi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja.