Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Që prej më shumë se tre vjetësh jam në pritje të shqyrtimit të aplikimit tim për green card. Jam i shqetësuar. A ka ndonjë gjë që më duhet të bëj? Nuk dua të bëj ndonjë gabim.
TD
Bayshore, New York
Kur jeni në pritje që USCIS-i të marrë në shqyrtim aplikimin tuaj për green card
Nëse keni paraqitur një aplikim për green card (formulari I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) dhe jeni në pritje që ky aplikim të merret në shqyrtim nga Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë të Shteteve të Bashkuara (USCIS-i), është mirë të dini disa gjëra.
T’i dërgoni adresën e re USCIS-it
Nëse keni ndryshuar adresë, duhet të informoni USCIS-in për ndryshimin dhe t’i dërgoni adresën e re brenda 10 ditëve nga data e lëvizjes në adresën në fjalë. Nëse nuk e bëni diçka të tillë, ka të ngjarë të mos ju bien në dorë njoftime të rëndësishme që lidhen me çështjen tuaj. Fakti që keni vënë në dijeni Shërbimin Postar të SHBA-së lidhur me ndryshimin e adresës, nuk çon në përditësimin e adresës që i keni dhënë më parë USCIS-it. Për të mësuar se si ta ndryshoni adresën në internet, duhet të shkoni në faqen e ndryshimit të adresës në internet (Change of Address Information) https://www.uscis.gov/addresschange
Kohët e procesimit të çështjeve
Mund të kontrolloni vetë se sa kohë i nevojitet mesatarisht një zyre të caktuar të USCIS-it për të shqyrtuar një formular I-485. Për më shumë informacion mund të shkoni në faqen e internetit në adresën https://egov.uscis.gov/processing-times/ Për shembull, nëse jeni martuar me një nënshtetas/e amerikan dhe keni aplikuar për green card, shkoni në faqen e internetit dhe shkruani I-485, kategoria “family-based adjustment application” dhe më pas shkruani aty ku është zyra e emigracionit (field office) që i përket zonës ku banoni ose qendra e emigracionit që është specifikuar në njoftimin që ju ka dërguar emigracioni. Bayshore-i është në Long Island, New York dhe zyra përkatëse e emigracionit është në Holtzville. Koha mesatare për procesimin e çështjes në atë zyrë llogaritet të jetë përafërsisht 30 muaj. USCIS-i si rregull i shqyrton çështjet sipas radhës dhe llogaritja e kohës së procesimit bazohet në sa kohë iu desh USCIS-it të mbarojë punë me 80% të këtyre çështjeve në gjashtë muajt e fundit. Meqenëse çdo rast është i veçantë, disa çështje mund të kërkojnë më shumë kohë se të tjerat. USCIS-i këshillon që koha e procesimit duhet të përdoret si pikë referimi dhe jo si mënyrë absolute për të llogaritur se sa kohë do të duhet për t’u kryer çështja juaj. Shumë faktorë rutinorë ndikojnë në shpejtësinë e procesimit të një çështjeje. USCIS-i pranon kërkesat për hetim lidhur me ecurinë e çështjes, vetëm për ato raste kur vonesa në shqyrtimin e çështjes ka dalë shumë jashtë kuadrit normal kohor të përmendur më lart.
Që të mund të përdorni faqen në internet ku tregohen kohët e procesimit si dhe për të hetuar lidhur me ecurinë e çështjes suaj, do t’ju duhet të keni disa të dhëna specifike që lidhen me çështjen tuaj. Disa të dhëna gjenden në njoftimin e dërguar nga USCIS-i (receipt notice) dhe disa të tjera mund të gjenden në kopjen e aplikimit, peticionit ose kërkesës suaj.
Do t’ju duhet të dini “Form Type ose Case Type”, “Receipt Number”, “Receipt Date” si dhe “USCIS Office”. Aplikimet për të cilat nevojitet një intervistë i kalojnë një zyre të emigracionit që njihet si field office. Zakonisht USCIS-i dërgon një njoftim kur ia kalon çështjen një zyre të tillë. Për të lokalizuar një field office mund të përdorni Field Office Locator https://www.uscis.gov/about-us/find-a-uscis-office/field-offices Nëse çështja juaj i ka kaluar një zyre tjetër, atëherë duhet të shihni kohët e procesimit të zyrës së “re”.
Nëse doni të dini për zhvillimet e reja që kanë të bëjnë me çështjen tuaj, mund të:
- Shkoni në faqen e internetit Case Status Online dhe të fusni numrin që gjendet në njoftimin që ju ka dërguar emigracioni (receipt number) https://egov.uscis.gov/casestatus/landing.do
- Nëse mendoni se vonesa në shqyrtimin e çështjes suaj del jashtë kuadrit normal kohor që nevojitet për shqyrtim, mund të paraqisni një kërkesë përmes së cilës të hetoni ecurinë e çështjes.
- Kontaktoni USCIS Contact Center në numrin 800-375-5283. Për personat që nuk dëgjojnë, që kanë aftësi të kufizuara dëgjimi ose të foluri numri është: TTY 800-767-1833.
Nëse ju duhet të udhëtoni
Nëse duhet të largoheni përkohësisht nga SHBA-ja, ndërkohë që jeni në pritje të një vendimi për formularin I-485 që keni paraqitur pranë emigracionit, ju lutemi, që për më shumë informacion të shihni udhëzimet që lidhen me formularin I-131, Application for Travel Document në adresën https://www.uscis.gov/i-131
Si rregull, nëse gjatë kohës që jeni në pritje të një vendimi lidhur me aplikimin për green card që keni paraqitur (formulari I-485), largoheni nga Shtetet e Bashkuara pa u pajisur paraprakisht me dokument udhëtimi, atëherë quhet që keni hequr dorë nga aplikimi juaj.