(Kujtime nga bisedat me mikun tim, Enver Malokun, për kërcënimet e tij me jetë)*
Pak ngjarje të jetës reale gjasojnë me ngjarjet e imagjinatës së krijuesve lertrarë sa ngjan vrasja e Enver Malokut me vrasjen në novelën “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” të Gabriel Garcia Marquez-it.
Megjithatë, midis vrasjes së personazhit të Marquez-it, djaloshit Santiago Nasar, dhe vrasjes së Enver Malokut ka një dallim esencial: Santiago nuk dinte asgjë për vrasjen e planifikuar të tij, kurse Enveri Maloku ishte paralajmëruar dhe ishte i vetëdijshëm për rrezikun që po i kanosej.
Vrasja e Enver Malokut ishte një vrasje e paralajmëruar së paku një vit e gjysmë më parë, dhe për këtë ishte koshient edhe ai vetë.
Enveri ishte vënë në shënjestër të mekanizmave të aparatit shtetëror të Serbisë – shërbimeve sekrete, policisë dhe shërbimeve propaganduese. Ai ishte marrë disa herë në bisedë informative në policinë e Serbisë, ku ishte pyetur për punën e tij profesionale, për Qendrën për Informim të Kosovës dhe për bindjet e tij politike.
Enveri dhe Qendra për Informim e Kosovës, të cilën e udhëhiqte ai, ishin bërë objekt shpifjesh e trillimesh të lloj-llojshme edhe të një grupi të vogël të shqiptarëve që synonin heshtjen e kësaj qendre, për shkak se ajo ishte bërë zëdhënëse e fuqishme e institucioneve përfaqësuese dhe e qytetarëve të Kosovës që po luftonin me të gjitha kapacitetet për liri, pavarësi e demokraci.
Enveri ishte përfshirë në listën e figurave më të rëndësishme politike e publike që ishin dënuar me vdekje, e cila ishte nënshkruar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose në emër të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Enveri ishte shënjestër e një atentati në derë të shtëpisë, të cilit i kishte shpëtuar mrekullisht, vetëm falë Zotit apo fatit të njeriut të bekuar.
Enveri ishte kërcënuar edhe personalisht, me telefon, që të largohej nga Qendra për Informim e Kosovës dhe të hiqte dorë plotësisht nga veprimtaria e tij politike e publike, po qe se e donte ende jetën.
Këto ishin ishin shenja të qarta të kërcënimit serioz që po i drejtohej Enver Malokut, kërcënimit që kishte qëllim heshtjen e tij.
Enveri ishte i plotësisht i vetëdijshëm për seriozitetin e këtij kërcënimi. Këtë ma ka thënë së paku në tri raste, gjatë bisedave tona lidhur me seriozitetin e kërcënimit, si edhe lidhur me qëllimin dhe me natyrën e kërcënimit apo të kërcënuesve.
Biseda e parë: Mbi listën e figurave të rëndësishme të dënuar me vdekje, ku ishte edhe ai
Ishte pranverë e vitit 1998. Ishte muaji prill ose muaji maj. Një ditë e bukur, me diell.
Isha duke punuar në sallën e madhe të Qendrës për Informim të Kosovës, kur erdhi Enveri, më pyeti (si duket krejt kot) çfarë po bëja e pastaj më tha se donte të më tregonte diçka. U ngrita dhe e ndoqa deri në zyrën e vogël, të cilën e përdornim kur kishim nevojë për pak më shumë qetësi ose kur pranonim ndonjë informacion me telefon apo me internet.
“Kemi marrë një informacion të rëndësishëm”, më tha me një të qeshur të pavullnetshme.
Pastaj u ul në kompjuter, e hapi një faqe dhe u ngrit përsëri për të më bërë vend mua.
Në krye të faqes shkruante “Komunikatë nr. …”, (nuk më kujtohet numri). Më poshtë vijonte një tekst i shkurtër, ku thuhej se personat e renditur më poshtë ishin shpallur tradhëtarë dhe ishin dënuar me vdekje, për shkak se, po e parafrazoj formulimin, po pengonin luftën e popullit të Kosovës për liri.
Poshtë tekstit ishin renditur emrat e dhjetë figurave më të rëndësishme të lëvizjes politike për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Në krye të listës ishte Presidenti i Republikës, Ibrahim Rugova, kurse pas tij ishin renditur udhëheqës të tjerë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në atë listë ishte edhe emri i Enver Malokut (nëse nuk gaboj ishte i shtati me rend).
Komunikata ishte nënshkruar me: “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
I befasuar nga një kërcënim kaq serioz dhe i zënë ngushtë, sidomos, për përfshirjen e Enverit në atë listë, unë mbeta pa fjalë. Për të fituar pak kohë, bëra sikur po e lexoja për së dyti, gjoja me vëmendje të shtuar…
S’dija çfarë të thosha, ndonëse dukej që kjo ishte një përpjekje e qartë për njollosjen disa prej udhëheqësve të rendit të parë të luftës politike e të luftës së armatosur për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe për krijimin e klimës edhe për likuidimin fizik të tyre.
Unë, me një ton humori të stisur, e pyeta se a ishte për t’u marrë seriozisht ky kërcënim kaq kobzi dhe Enveri m’u përgjigj përafërsisht kështu:
“Unë besoj se po. Po shihet se lufta po ashpërsohet. Nuk guxojmë të mos e konsiderojmë si kërcënim serioz”.
Unë nuk kisha asnjë dyshim se ato që thoshte Enveri ishin të sakta dhe kjo po shihej gjithnjë e më qartë. Por, në mungesë të një gjykimi të mençur, fillova të bëja sikur po e analizoja qëllimin e kërcënimit dhe autorësinë e tij.
Enveri duket se e kuptoi se unë po flisja kot sepse nuk dija çfarë t’i thosha e si të veproja, prandaj nuk e zgjati shumë dhe e mbylli kompjuterin.
Duke dalë nga zyra i thashë se për këtë duhet të konsultohej edhe me njerëz të tjerë.
Biseda e dytë: Mbi atentatin e parë të cilit i shpëtoi mrekullisht
Më 18 korrik 1998, ditë e shtunë, rreth orës 20 të mbrëmjes, Enver Maloku i kishte shpëtuar mrekullisht një atentati ndaj tij, mu në derë të shtëpisë së tij.
Atë natë gjendesha te prindërit, në Bajçinë, për fundjavë. Shumicën e kohës atje nuk kishte energji elektrike, prandaj nuk i kisha dëgjuar fare lajmet e mbrëmjes.
Lajmin për atentatin ndaj Enverit e mësova të nesërmen, të dielën, paradite. Menjëherë u nisa për në Prishtinë. Në banesën e Enverit arrita diku pasdreke. Për fat të mirë, aty ndodheshin vetëm Enveri me bashkëshorten, Havën, dhe me fëmijët: Rinën (Doruntinën), Drinin (Andrinin) dhe Lonin (Albanonin). Kjo ishte një rrethanë e përshtatshme për të biseduar më lirshëm për çfarë kishte ndodhur, ndonëse unë vetëm bëja vetëm pyetje joesenciale, pothuaj krejtësisht periferike.
Enveri më tregoi për atentatin e dështuar. Ai e përshkroi se si kishte shtënë agresori në drejtim të tij dhe se si, me gjasë, revolja i ishte bllokuar dhe nuk i kishte shkrepur më shumë se një herë. Plumbi që e kishte shkrepur ai e kishte goditur një shufër vertikale të parmakëve të shkallëve që shpinin te banesa e Enverit, në bodrum, e kishte ndërruar drejtimin dhe ishte ngulur në mur, pak sipër derës së banesës.
Dy-tri herë përsëriti se ende po i dukej sikur kjo kishte qenë vetëm një ëndërr e frikshme dhe se nuk po i besohej që një shufër metalike, më e hollë se gishti, e kishte shpëtuar aq mrekullisht nga dikush që kishte dashur t’ia merrte jetën.
Në mbyllje të rrëfimit ai ma pohoi se herë-herë po bëhej koshient se ai plumb mund ta kishte qëlluar dhe mund t’ia kishte marrë edhe jetën…
Nuk biseduam se çfarë do të bënte dhe si do të vepronte më pas. As nuk e pyeta dhe as nuk më tha gjë.
Biseda e tretë: Mbi këcënimet që nuk pushuan kurrë
Ishte fillimi i shtatorit, një pasdite ose buzëmbrëmje. Sapo e kishim përfunduar punën, Enveri dhe unë dolëm bashkë nga Qendra për Informim e Kosovës dhe u nisën në këmbë për në shtëpitë tona.
Kishte kohë që nuk kishim pasur rastin të bisedonim për atentatin apo për kërcënimet e reja eventuale, prandaj, kur arrritëm te kompleksi “Qafa”, unë i propozova të uleshim të pinim bashkë nga një kafe.
Enveri e pranoi me kënaqësi propozimin tim dhe më propozoi të uleshim në kafiterinë e restaurantit “Dora”, e cila gjendej në hyrje, në katin përdhes. U pajtuam dhe e morëm nga një birrë.
Bisedën për ngjarjet që po ndodhnin, sidomos për ato rreth tij e familjes së tij, e nisa unë, duke e pyetur nëse e kishte marrë veten pas atentatit dhe si e kishin përballuar Hava e fëmijët. Ai ma pohoi se Hava dhe të afërmit tjerë po përpqeshin ta bindnin të hiqte dorë nga informimi publik dhe të merrte në konsiderim edhe largimin nga Kosova.
Nga biseda e kuptova se fillimisht ai nuk i kishte hedhur krejtësisht poshtë sugjerimet e familjarëve, por pastaj i kishte refuzuar ato kategorikisht. Unë e pyeta përse. Ai m’u përgjigj përafërsisht kështu:
“Është e qartë se ata duan të më heshtin, të gjallë ose të vdekur. Në qoftë se unë pranoj të heq dorë nga puna që e konsideroj të shenjtë në këto kohë e rrethana, i bie se po e pranoj të më mbyllet goja për së gjalli. Si heshta vetë, si më heshtën ata është njësoj, është i njëjti përfundim”.
Unë e pyeta nëse kishte pasur kërcënime të tjera pas atentatit, direkte ose indirekte, dhe ai ma pohoi se kishte pasur. Ai më tregoi se një person anonim e kishte marrë në telefon dhe e kishte kërcënuar që të largohej nga Qendra për Informim e Kosovës, në qoftë se dëshironte të vazhdonte të jetonte edhe më tutje.
Unë e pyeta, si padashtas, nëse ai që e kishte kërcënuar kishte folur shqip dhe ai ma pohoi këtë.
Për më shumë hollësi as nuk e pyeta unë dhe as nuk më tregoi ai. Shumëçka nënkuptohej edhe pa fjalë.
Pas pak dolëm, u përshëndetëm dhe u nisëm secili rrugës për në shtëpinë e vet.
Bisedë të katërt nuk pati kurrë, na përlanë përpara flakët e luftës
Kjo ka qenë hera e fundit që unë e Enveri kemi biseduar shtruar për kërcënimet ndaj tij apo për atë që sot po e quaj vrasje e paralajmëruar.
Na kishin përlarë përpara flakët e luftës. Kosova po digjej e piqej përditë e më shumë, kurse vrasjet e masakrat e djeshme po mbuloheshin me vrasjet e masakrat e sotme.
Qendra për Informim e Kosovës, nën udhëheqjen e drejtorit të saj, Enver Maloku, raportonte në mënyrën më profesionale për pothuaj çdo ngjarje, nga çdo cep i Kosovës, natë e ditë, pothuaj pa pushim. Ajo po raportonte për djegie e shkatërrime masive të vendbanimeve shqiptare dhe për vrasjet e masakrat që po i kryenin forcat ushtarake e policore serbe. Po raportonte edhe për përpjekjet mbinjerëzore të popullit të Kosovës për mbijetesë, por edhe për liri, pavarësi e demokraci.
Njerëzit e Qendrës për Informim të Kosovës nuk kishin kohë të merreshin me veten e tyre, as me kërcënimet serioze ndaj shefit të tyre, Enver Malokut, deri më 11 janar 1999, kur e dhanë lajmin e zi për vrasjen e Enverit, para banesës së tij, në lagjen Kodra e Diellit, në Prishtinë, në sy të Havës, Rinës, Drinit e Lonit, nga një dorë e zezë që nuk u zbulua ende.
Pishtinë, 15 janar 2017
* Unë e Enveri kemi qenë miq prej fëmijërisë së hershme, saktësisht prej vitit 1965. Në shkollën fillore dhe në gjimnaz kemi qenë shokë të një klase apo shokë të një gjenerate. Bashkë kemi qenë edhe në studime. Prej vitit 1979 kemi qenë edhe kolegë pune në Radiotelevizionin e Prishtinës, pastaj kolegë në redaksinë e Radiotelevizionit të Prishtinës që prodhonte lajme për Radiotelevizionin Shqiptar dhe kolegë në Qendrën për Informim të Kosovës, deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Marrëdhëniet tona reflektoheshin me marrëdhënie të mira miqësore edhe mes familjeve tona. Siç është e vetëkuptueshme, për shkak të punës së përbashkët, si edhe bindjeve, interesimeve e preokupimeve të njëjta, unë e Enveri e kishim edhe pothuajse të njëjtin rreth miqsh e bashkëpunëtorësh.