Vrasjet e stilit mafioz shkaktojnë frikë në Shqipëri

Vrasjet, shpesh të stilit mafioz, janë bërë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri. Ekspertët thonë se autorët nuk kanë frikë nga policia.

 

Fjori Sinoruka, BIRN

 

Fshati Panaja në jug të Shqipërisë njihet më së shumti për plazhet me rërë. Megjithatë më 18 gusht, ai u bë kryetitull për të shtënat me armë që shkaktuan dy viktima – një vrasje për hakmarrje siç u raportua në media.

Një ditë më parë, një 33-vjeçar u vra në Elbasan dhe policia arrestoi një 18-vjeçar të dyshuar për krimin.

Më 18 korrik ishte radha e Fushë-Krujës, rreth 18 kilometra në veri të Tiranës, ku tre njerëz vdiqën pasi u goditën me breshëri plumbash në makinën e tyre.

Nuk kishte mbetur pothuajse asgjë kur policia mbërriti në vendngjarje. Makina ishte djegur me dy prej viktimave brenda saj. I treti, që mesa duket ia doli të dilte nga makina në flakë, u vra nga njëri prej autorëve, që sipas prokurorëve ishte kthyer për t’u siguruar që askush të mos shpëtonte gjallë.

Dy njerëz të tjerë u vranë pranë Fushë-Krujës në ditët dhe javët që pasuan. Qyteza dukej e qetë kur u vizitua nga kjo reportere, por banorët që folën vetëm në kushtet e anonimatit, thanë se një dhunë e tillë ishte kthyer në normë.

Ekspertët thonë se në të gjithë Shqipërinë, vrasjet brutale ditën për diell – të tilla si ato që përdoren nga krimi i organizuar për të dërguar një mesazh, po ushqejnë një ndjenjë në rritje pasigurie te shqiptarët e zakonshëm.

Shifrat po rriten në mënyrë të vazhdueshme- nga 44 vrasje në vitin 2019 në 52 gjatë vitit 2020 dhe 56 në 11 muajt e parë të vitit 2021.

“Siguria e qytetarëve është vënë në pukëpyetje përballë këtij realiteti, ne kemi institucione që nuk reagojnë në asnjë mënyrë për të marrë përgjegjësi dhe për të dhënë llogari për mungesën e sigurisë,” tha Elsa Sulo, një aktiviste nga Fushë-Kruja.

“Ne ndjejemi të kërcënuar, ndjehemi të pasigurtë dhe të papërfaqësuar institucionalisht,” shtoi ajo.

Kriminelët “nuk kanë frikë nga policia”

Fabian Zhilla, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe krimit thotë se ka “shumë përgjigje” për pyetjen “Pse?”.

“Vrasjet që janë të bujshme, ku përdoren eksplozivë ose breshëri plumbash, janë kryesisht të lidhura me krimin e organizuar, duke u përpjekur t’i dërgojnë mesazh një kundërshtari,” i tha ai BIRN.

“Vrasjet që ndodhin për motive të dobëta tregojnë se shoqëria është e dëshpëruar, e ka humbur shpresën tek institucionet zyrtare dhe pa besim te institucionet zyrtare, përpiqet t’i zgjidhë çështjet duke e marrë drejtësinë në duart e veta,” shtoi ai.

Veçanërisht të parat po shkaktojnë frikë dhe panic si dhe po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për ta promovuar veten si një destinacion i sigurtë turistik.

“Këto vrasje në publik kanë një efekt jashtëzakonisht të keq, sepse para së gjithash cenojnë imazhin e qetësisë publike dhe trembin pushuesit, sidomos gjatë sezonit turistik,” tha Zhilla.

“Nga ana tjetër, Shqipëria e shikon sektorin turistik si një sektor me potencial. Mungesa e sigurisë publike është faktori kryesor dhe më negativ i largimit të turistëve nga vendi”.

Edlira Gjoni, një eksperte e komunikimit me bazë në Tiranë thotë se edhe konfliktet e vogla në Shqipëri kanë tendencën që të kthehen në fatalitet.

“Çdo korrik apo gusht, nëse shikon statistikat, ka shumë vrasje, aksidente rrugore dhe konflikte me pasoja fatale,” tha Gjoni për BIRN.

“Ne shohim çdo javë në zona të largëta njerëz që vriten në mënyrën e vjetër shqiptare, duke vrarë njëri-tjetrin, duke mos pasur frikë nga policia, duke mos pasur frikë nga sistemi i drejtësisë, sepse ata e dinë që do të dalin nga burgu brenda një kohe të shkurtër,” shtoi Gjoni.

“Frikë dhe ankth”

Shkalla e vrasjeve në Shqipëri është e lidhur shpesh me lehtësinë e aksesit të armëve, një problem që daton nga fundi i viteve ’90, kur rënia e firmave piramidale shkaktoi tre muaj anarki dhe plaçkitje të depove të armëve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 448,901 armë të llojeve të ndryshme u grabitën. Policia e Shtetit e vendos këtë shifër edhe më lart, 549,775. Amnistitë e përsëritura kanë arritur të rikuperojnë vetëm një pjesë të këtyre armëve.

Gazetarja investigative, Klodiana Lala, e cila raporton për krimin dhe korrupsionin tha se vala e efekteve nga vrasje të tilla ndjehet larg skenës së krimit.

“Mënyra se si kryhen ngjarje të tilla të rënda, vendi i zgjedhur për të kryer atentatin, ashpërsia, numri i pjesmarrësve, mënyra se si autorët largohen dhe provat zhduken flet për një formë të sofistikuar të krimit të organizuar,” tha ajo.

“Sigurisht që ngjarje të tilla përhapin frikë dhe ankth mes qytetarëve, jo vetëm në zonë, por edhe gjetkë,” shtoi ajo.

“Njerëzit ndjehen të pasigurt, për faktin se ekziston rreziku që të jenë herë pas here objektivë rastësorë të krimeve të tilla të rënda. Nga ana tjetër, institucionet ligjzbatuese nuk kanë kontroll të plotë mbi territorin dhe nuk janë të aftë të parandalojnë krimet. Kjo, për shumë arsye që lidhen me paaftësinë, korrupsionin dhe lidhjet me grupet kriminale, ndërkohë që një pjesë e forcës policore është e frikësuar në komunitete të caktuara”.

Në maj, policia kreu një operacion të madh- i koduar si “Plumbi i Artë” kundër krimit të organizuar. Tetë grupe kriminale u vendosën në shenjestër, por dy nga drejtuesit e dyshuar, Suel Çela dhe Ervis Martinaj i shpëtuan rrjetës.

Martinaj kërkohet prej kohësh nga forcat e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe jashtë saj. Nipi i tij ishte një nga viktimat e vrasjes së trefishtë të 18 korrikut në Fushë-Krujë.

Policia e Shtetit i tha BIRN se Martinaj është raportuar i zhdukur nga të afërmit e tij. Vendndodhja e tij është e panjohur.

“Gjithçka po ndodh mes tyre,” tha një banor i Fushë-Krujës, duke iu referuar bandave të krimit. “Ata e njohin njëri-tjetrin shumë mirë,” shtoi ai, duke u strehuar nën një pemë për t’i shpëtuar diellit të nxehtë të gushtit.

Një dyqanxhi që u prezantua me emrin Dritan i tha BIRN: “Jemi mësuar. Ka pasur vrasje të vazhdueshme gjatë 30 viteve të fundit. Gjithë Shqipëria e di këtë”.

(Reporter.al)