Vritet kryetari i qytetit ukrainas Mihajllivka, i emëruar ngas Rusia

Kiev, 24 gusht 2022 – Kryetari i qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia, Mihajllivka, Ivan Sushko, i emëruar nga Moska, është vrarë nga shpërthimi i një makine-bombë, raporton REL.

Përfaqësuesi i autoriteteve të vendosura nga Rusia në rajonin e Zaporizhjas, në Ukrainë, Volodymyr Rogov, ka njoftuar në platformën Telegram, më 24 gusht, se Sushko ka vdekur në spital, nga plagët e marra në shpërthimin e një bombe që ishte vendosur qëllimshëm nën ulësen e makinës së tij.

Disa prej zyrtarëve të emëruar nga Moska në zonat ukrainase që i ka marrë nën kontroll janë vrarë apo  plagosur në sulmet ndaj tyre.

Më 6 gusht, Vitaliy Hura, zëvendëskryetar i qytetii ukrainas Nova Kakovka, i emëruar nga Rusia, është qëlluar për vdekje nga një sulmues i paidentifikuar sapo ka dalë nga shtëpia e tij.

Një ditë më vonë, agjencitë ruse të lajmeve raportuan se guvernatori i rajonit të Hersonit, Volodymyr Saldo, i emëruar nga Rusia, ishte shtruar në spital, por arsyet nuk u bënë të ditura. Në disa raportime thuhej se ai mund të ishte helmuar.

Më 24 qershor, në shpërthimin e një makine-bombë në Herson mbeti i vdekur udhëheqësi për politika të të rinjve në Herson i emëruar nga Rusia, Dmytro Savluchenko.

(r.m.)