Vritet në Ukrainë një gazetar francez

Paris, 30 maj 2022 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi se një gazetar francez është vrarë në Ukrainë prej nga po raportonte për luftën.

“Frederic Leclerc-Imhoff ishte në Ukrainë për të shfaqur realitetin e luftës. Gjatë kohës sa ishte në një autobus humanitar me civilët që janë detyruar të largohen nga bombardimet ruse, ai u plagos për vdekje”, shkroi Macron në një postim në Twitter.

Edhe televizioni BFM-TV, për të cilin po raportonte ai, konfirmoi lajmin për vrasjen e tij.

Më herët, guvernatori rajonal i Doneckut, , Serhiy Hayday, tha se një gazetar francez është vrarë kur një automjet i blinduar që po përdorej për evakuimin e civilëve në rajonin ukrainas të Luhaskut, u godit nga granatimet ruse.

Në një njoftim të postuar në “Telegram”, guvernatori shkroi se automjeti transportues ishte planifikuar të evakuonte dhjetë persona u qëllua “nga zjarri i armikut”.

“Copëzat e predhave depërtuan në automjet dhe një gazetar i akredituar francez që po raportonte për evakuimet pësoi lëndime fatale në qafë, ndërsa një zyrtar policor i shpëtoi sulmit”, shkroi Hayday.

“Ne zyrtarisht po e ndalojmë evakuimin”, shtoi ai.

Hayday postoi edhe një fotografi të kartelës së akreditimit të gazetarit të ndjerë francez.

(REL)