Beograd, 14 gusht 2024 – Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e ka gjykuar ashpër planin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullim të automjeteve.
Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, synon që me hapjen e urës, siç është shprehur, “të bashkojë me force” Mitrovicën Veriore dhe Mitrovicën Jugore”.
Vuçeviq e ka cilësuar planin për hapjen e urës si pjesë të “veprimeve të papërgjegjshme” të Kurtit dhe ka shprehur pritjet e Serbisë së bashkësia ndërkombëtare në Kosovë do të regojë ndaj këtyre veprimeve.
“Fatkeqësisht marifetet dhe veprimet e papërgjegjshme të Albin Kurtit vazhdojnë. Më duhet të them se jam i kënaqur me reagimet e asaj që ne e përkufizojmë si bashkësi ndërkombëtare, mbi të gjitha me deklaratat e komandantit të KFOR-it [gjeneralit Ozkan Ulutash], me të cilin shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë dje ka pasur një bisedë dhe ia ka përcjellë pikëpamjet tona shumë qartë”, ka thënë Vuçeviq për televizionin pubpblik të Serbisë, RTS.
Ai ka thënë se drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka njoftuar përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it për planet e Kurtit “për destabilizimin e sitruatës në veri” të Kosovës.
“Shpresoj të gjithë të jenë mjaft të matur dhe racional që të mos lejohet të ndodhin këto gjëra. Nëse ndodhin, vërtet nuk mund ta kuptoj që ata (bashkësia ndërkombëtare) nuk i kanë mjetet dhe instrumentet për ta frenuar Kurtin. Nuk mund ta pranoj se si ata të gjithë [ndërkom,bëtarët] i thonë ‘s’mund ta bësh këtë’ dhe ai prapëseprapë e bën”, është shprehur Vuçeviq.
(r.m.)