Vuçeviq: Masat që do t’i marrë Serbia synojnë mbrojtjen e serbëve në Kosovë

Beograd, 13 shtator 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar për sot publikimin e kërkesave dhe masave të Serbisë ndaj atyre që ai I ka cilësuar si “sulme brutale ndaj popullsisë serbe” në pjesën veriore të Kosovës.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke folur për masat e paralajmëruara nga Vuçiqi, ai ka thënë se ato “synojnë ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e serbëve” në Kosovë.

“Na presin ditë sfiduese për Kosovën e Metohinë dhe masat që do t’i marrë shteti [serb] do të synojnë ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë e Metohi”, ka thënë ai, transmeton Gazeta beogradase “Danas”.

“Arrestimi dhe persekutimi i serbëve në Kosovë e Metohi është përditshmëri, kurse qëllim përfundimtar i të gjitha veprimeve të [Kryeministrit të Kosovë, Albin] Kurtit është spastrimi etnik i serbëve nga ajo zonë”, ka shtuar Vuçeviq.

Ai e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar se nuk po reagon me forcë kundër veprimeve të njëanshme të Kurtit.

“Ka pasur mjaft deklarata dhe mesazhe të bashkësisë ndërkombëtare drejtuar Prishtinës për të ndalur veprimet e njëanshme, por në të njëjtën kohë po diskutohet nëse duhet të hiqen masat kufizuese ndaj Albin Kurtit. Nuk e kam përshtypjen se dikush është gati të reagojë më ashpër kundër Kurtit, përveçse në letër. Nuk ka masa thelbësore”, ka theksuar kryeministri i Serbisë.

Vuçeviq ka folur edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut zhvelërësohen nga veprimet e autoriteteve të Kosovës.

“Ne gjithmonë do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, por gjërat thelbësore që janë arritur me dialog ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë e kanë humbur kuptimin nga veprimet që po i kryen regjimi në Prishtinë”, është shprehur ai.

Sipas medieve serbe, Vuçiq do të kërkojë zgjedhje të shpejta në pjesën veriore të Kosovës, kthimin në punë të policëve dhe gjyqtarëve serbë (që i kishin braktisur institucionet e Kosovës), formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, lirimin e serbëve të arrestuar (të cilët cilësohen si të burgosur politikë) dhe heqjen e ndalesës për importimin e disa mallrave nga Serbia.

Por, ka pasur edhe raportime se në tryezën e Vuçiqit është edhe shpallja e “okupimit të një pjese të Serbisë”, gjë që nënkupton edhe veprime për kthimin e territoreve të okupuara”.

(r.m.)