Beograd, 28 korrik 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është “i shqetësuar” që autoritetet e Kosovës do të fillojnë të zbatojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit me automjeteve me targa jolegale.
Me vendimin e datës 29 qershor, që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe u ndalohet qarkullimi në territorin e Kosovës. Llogaritet se rreth 10.000 automjete me targa të tilla qarkullojnë në Kosovë, kryesisht në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
“Jam i shqetësuar dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Vuçiq të enjten.
Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, pronarëve të automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe u jepet afat deri më 30 shtator t’i regjistrojnë ato në qendrat e regjistrimit të Republikës së Kosovës, të cilat lëshojnë targa me akronimin RKS (Republika e Kosovës).
Bëhet fjalë për automjete që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës (sipas toponimeve në gjuhën serbe) si: PR (për Prishtinën), GL (për Gjilanin), PZ (për Prizrenin), KM (për ‘Mitrovicën e Kosovës’) e të tjera.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me target e automheteve qysh në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar në Kosovë. Në kundërshtim me këtë marrëveshje, Ministria e Brendshme e Serbisë ka vazhduar të lëshojë targa për automjetet që që në komunat në veri të Kosovës kanë qarkulluar pa pangesa.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova ka të drejtë t’i zëvendësojë targat e lëshuara nga autoritetet serbe me targa të lëshuara nga autoriutetet e vendit.
Por, Presidenti i Serbisë nuk e pranoi faktin se vendimi i Qeverisë së Kosovës bazohet në marrëveshjen e vitit 2011.
“Shtrohet pyetja a është ky ndonjë aneks i Marrëveshjes së Brukselit? Në qoftë se është kështu, përse atëherë i heqin target ‘KS’? Kënd e kanë pyetur? Kurrë nuk ka ndodhur asgjë për shkak të targave. Këtu bëhet fjalë për pamaturi të të njërës palë, e cila mendon se mund të poshtërojë këdo dhe sido që do”, u shpreh ai.
Vuçiq tha se autoritetet e Kosovës duan që “targat ‘KM’ të mos ekzistojnë askund”, dhe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por edhe vendet e Quint-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës).
“Me çfarë baze? Ku shkruan? Shkruan vetëm në kokën e Albin Kurtit dhe të vendeve të Quintit, sepse për to, Kosova është shtet”, ka thënë Vuçiq.
Më 1 gusht do të hyjë në fuqi edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për hyrje/dalje në territorin e Kosovës të personave me dokumente personale të lëshuara në Serbi. Sipas këtij vendimi, të gjithë personat me dokumente personale të serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës do të pajisen me një certifikatë që zëvendëson dokumentin identifikues gjatë qëndrimit të Kosovë dhe me rastin e largimit nga Kosova.
Edhe ky vendim bazohet në marrëveshjen për qarkullim të lirë, të arritur në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Deri më tash, Serbia e ka zbatuar në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje. Të gjithë qytetarët e Kosovës me dokumente identifikuese të Kosovës, me rastin e hyrjes në territorin e Serbisë, janë pajisur me një certifikatë që zëvendëson dokumentet e tyre personale gjatë qëndrimit në Serbi dhe me rastin e largimit nga Serbia.
(r.m.)