Beograd, 5 nëntor 2021 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur se pret që autoritetet e Kosovës të provojnë ta marrin në kontroll nënstacionin elektrik të Valaçit, në pjesën veriore të Kosovës.
Në katër komuna në veri të Kosovës, serbët përbëjnë shumicën e popullatës, ndërsa qytetarët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energji elektrike që nga viti 1999.
Vuçiq ka thënë se pret që kjo do të ndodhë pas 6 nëntorit.
“Unë kam thënë se është e mundshme që kjo do të bëhet nga 6 nëntori, për shkak të qëndrimit karshi operatorëve atje, duke e arsyetuar me faturimin e energjisë në veri. Por, ata do të provojnë ta përdorin atë (faturimin, v.j.) dikur, jam pothuajse i sigurt, për qëllime politike, që nuk kanë të bëjnë asgjë me energjinë”, ka thënë presidenti i Serbisë, citon Radio Evropa e Lirë.
Vuçiq ka kërkuar që autoritetet e Kosovës që të mos e bëjnë këtë.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se drejtori i saj, Petar Petkoviq, e ka informuar ambasadorin gjerman në Serbi, Thomas Schieb, siç thuhet, “për problemet në zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015, dhe për obligimet e Prishtinës përkitazi me regjistrimin e dy kompanive serbe dhe licencimin e tyre për furnizim, shpërndarje dhe shitje të energjisë”.
Petkoviq ka thënë se për të gjitha problemet në këtë proces e ka informuar Bashkimin Evropian, si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi dhe si garantues i zbatimit të marrëveshjes.
Qytetarët e katër komunave në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovia e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani –nuk paguajnë për rrymën dhe ujine shpenzuar që nga viti 1999.
Vlerësohet se borxhi për rrymën e shpenzuar në këto komuna është 8 milionë euro në vit.
Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët tjerë të Kosovës, përmes faturave të rritura për 3.5 për qind. Gjykata e Apelit e ka gjykuar të paligjshme këtë praktikë dhe e kapezulluar atë.
Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk kanë arritur të lexojnë njehsorët dhe t’ua dërgojnë faturat dhe të arkëtojnë të hyrat për energjinë e shpenzuar në pjesën veriore.
(r.m.)