Vuçiq: Barrikadat do të hiqen kur të krijohet Asociacioni

Baku, 21 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se barrikadat në pjesën veriore të Kosovës do të largohen kur Kosova do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, ka thënë Vuçiq në një takim me gazetarët në Azerbajxhan, citon agjencia serbe e lajmeve Beta.

Ai ka thënë se qëndrimi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, është më i drejtë se qëndrimi i shumicës së qeverive perëndimore.

“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka kërkuar përsëri shpjegime lidhur me arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij.

Policia e Kosovës ka thënë se Pantiqi, i cili u arrestua më 10 dhjetor,  dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën Veriore, më 6 dhjetor. Ky sulm kualifikohet si “sulm terrorist”.

Pas arrestimit të Pantiqit, serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjaku, në pjesën veriore të Kosovës.

KFOR-i e ka rritur prezencën në Jarinjë, për shkak të pranisë së “grupeve të organizuara kriminale”.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për t’i larguar barrikadat, por kanë kërkuar që ato të largohen në mënyrë paqësore.

(r.m.)